Viktimat e koronavirusit e kalojne 1 mije

  • 4 years ago
Viktimat e Koronavirusit në Kinë tashmë janë mbi 1 mijë. Zyrtarët kinezë publikuan shifrat më të fundit të viktimave dhe të të prekurve nga virusi i rrezikshëm që vazhdon të përhapet me ritme të shpejta në gjithë vendin.
Ata thanë se vetëm të hënën ndërruan jetë 103 të sëmurë, duke thyer rekordin ditor të viktimave që ishte vendosur të dielën.
Edhe rastet e të infektuarve janë shtuar, duke arritur në rreth 42 600 dhe afro 43 mijë një gjithë globin. Megjithatë, numri ditor i të infektuarve të rinj po pëson rënie. Autoritetet kineze e interpretojnë këtë fakt, si vënie nën kontroll të situatës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shtoi nivelin e alarmit, duke e shpallur situatën e krijuar nga koronavirusi në gjithë globin, Emergjencë Shëndetësore Publike që përbën shqetësim ndërkombëtar.
E njëjta gradë alarmi është shpallur të paktën 4 herë në 11 vitet e fundit, ku mes rasteve, përmendet edhe virusi Zika, Ebola, etj.
Një ditë pas shfaqjes për të parën herë publikisht të presidentit kinez Shi Xhinping, pas shpalljes së emergjencës nga koronavirusi, janë shkarkuar disa funksionarë të lartë të provincës Hubei me kryeqendër Vuhanin, me argumentimin se nuk e menaxhuan mirë situatën. Mes të shkarkuarve është edhe sekretari i parë i partisë për këtë provincë.
Tv Klan