Rama mbledh Komitetin e Rindërtimit, mbi 10 mijë banorë do ta kalojnë natën e vitit të ri në çadër
  • 4 years ago
TIRANE-Mbi 10 mijë banorë në zonat rurale që janë prekur nga tërmeti do të kalojnë natën e ndërrimit të viteve në çadër, ndërkohë që 3613 janë të sistemuar në hotele. Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e tretë të Komitetit të Rindërtimit se brenda janarit duhet të nisë puna për ndërtimin e banesave në zonat rurale, ndërsa më pas në zonat urbane, teksa Durrësi, Tiranë dhe Thumana janë pastruar nga gërmadhat që la pas tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Objektivi i qeverisë është që brenda vitit 2020 të gjitha ata që jetojnë në fshat dhe u është shembur banesa, të kenë shtëpitë e reja, ndërsa deri në fund të vitit 2021 të ketë filluar akomodimi i banorëve që sot janë me qira në zonat urbane. Për banorët në zonat rurale, kryeministri u bëri thirrje të gjithë banorëve me procesin e rindërtimit që do të nisë të afrohen me njëri tjetrin për të krijuar qendërza të vogla dhe të mos jenë të shpërndarë, ndërkohë që toka ku kishin banesën e shembur do u mbetet sërish atyre."Sot është mbledhja e tretë dhe në këtë mbledhje besoj që jemi në kushtet kur jo vetëm të diskutojmë si mbledhjet e kaluara, por edhe të ndajmë një përmbledhje të punës që është bërë, në aspektin e përgatitjes së kuadrit ligjor dhe administrativ, qoftë në aspektin e planifikimit" tha ai.

Kryeministri Edi Rama kërkoi që në aplikacionin aktual ku mund të shikohen në kohë reale, online procesi i mbledhjes së donacioneve, të shtohet edhe procesi i rindërtimit për cdo zonë ku qytetarët mund ta ndjekin hap pas hapi se cfarë po ndodh. "Shumë okej që në një pasqyrë të parë kemi donatorët, por ajo që u intereson njerëzve është rindërtimi dhe është mirë që në këtë aplikacion që të interesuarit mund të gjejnë për veten e tyre.

Ky është plani, ky është buxheti, ky është procesi dhe që përditësohet. I gjithë procesi i rindërtimit të jetë online për cdo zonë. Që të hysh në cdo zonë dhe lagje për të parë si po ecën dhe cfarë po bëhet. Që të bëjmë transparencë të plotë, është një punë voluminoze, por duhet të vendosim disa persona nga ministria e financave, nga organizatat që të bëhet një punë e mirë dhe njerëzit të jenë në kohë reale, ashtu si kontrolli i godinave që po verifikohen" tha ai.
Recommended