Report TV - Festa e Shna Ndout, mijëra pelegrinë kalojnë natën në Kishën e Laçit

  • 5 years ago
Mbrëmja e së mërkurës kulmoi ditët e pelegrinazhit në Kishën e "Shna Ndout" në Laç.

Me mijëra pelegrin, nga e gjithë Shqipëria por edhe jashtë saj nisën rrugën e pelegrinazhit që prej orëve të para të mëngjesit, për të kaluar natën në këtë vend të shenjtë, në përpjekje për të imituar shenjtin, që sipas tyre ka kaluar në vargmalin e Kurbinit. Pelegrin të besimeve të ndryshme fetare thonë se ky vend ka bërë mrekulli të shumta, ndaj dhe besojnë tek kisha e Laçit.

Pelegrinazhi i përvitshëm 13 javor në këtë vend të shenjtë kulmon gjatë datës 12 dhe 13 qershor, ndërsa një gjë e tillë praktikohet në shenjë pendese, në emër të sakrificës dhe lutjeje ose falenderimi që i dërgohet shenjtorit Shna Ndou, i cili njëherësh bën edhe mrekulli."Sot më ka marrë këmbën dhe po ma lehtëson dhimbjen.

Vendi i mrekullive, vendi i mrekullive kam shumë besim.

Kemi ardhur për shëndetin e fëmijëve se i kemi larg.

Kam shumë besim kisha vajzën pa fëmijë për 4 vite dhe sa erdhi këtu prej besimit bëri dhe fëmijë. Jam shumë e kënaqur dhe prandaj vij këtu. Jo një mrekulli dhe ka bërë shumë mrekullia. Çdo dëshirë që njeri ka këtu realizohen.

Jam mysliman por vij, nuk është e thënë. Lutem për çdo të mirë. Për mua kisha e Laçit ka bërë mrekulli për fëmijën tim. Doktorët nuk i dhanë shpresë ndërsa Kisha e Laçit e ka mbajtur në jetë".

Rituali i shenjtores fillon sapo kalon qytetin e Laçit dhe fillon ngjitjen në mal. Ndalesa e parë bëhet tek gjurmët që është dhe vendi ku mendohet se ka kaluar Shna Ndou. Në gurë janë shenjat e këmbëve dhe të duarve të tij, gjithashtu vendi ku mendohet se ai ka pushuar. Të gjithë besimtarët përshkojnë këto pjesë të shenjta të pelegrinazhit me prekje dhe vendosje të kokës, duarve dhe komplet trupit në vendin për të cilin mendohet se ka kaluar Shna Ndou.

Recommended