6 lëkundje tronditin qarkun e Korçës, mbi 100 shtëpi të dëmtuara, 90 banorë e kalojnë natën në çadra

  • 5 years ago
Katër të plagosur, mbi 100 shtëpi të rrënuara dhe banorë të tmerruar. Është ky bilanci i tërmetit që u regjistrua mëngjesin e kësaj shtune në juglindje të vendit, qarkun e Korçës. Deri më tani mësohet se 4 persona kanë mbetur të plagosur, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën, e ndërsa numri i banesave që janë shkatërruar i ka kaluar 100, disa prej tyre kanë dalë krejtësisht jashtë funksionit.

Epiqendra e tërmetit 5.3 ballë, që u shoqërua me mbi 20 lëkundje nga të cilat 6 të forta, ka qenë në fshatin Floq, që e përfshin Kolonja, ku dhe janë shkaktuar dëmet më të mëdha materiale. Mësohet se lëkundja e parë ka zgjatur për plot 10 sekonda.

Sipas sizmologut, Rexhep Koçi pritet që të regjistrohen edhe tërmete të tjera, nisur nga fakti që gjithmonë ato shoqërohen me pasgoditje. Pas apelit të banorëve për të shpallur gjendjen emergjente, pasi nuk kthehen në shtëpitë e tyre nga frika se mund të ketë tërmete të tjera, Emergjencat Civile kanë vënë në dispozicion çadra për banorët e Floqit. Report Tv mëson se 90 banorë të fshatit Floq do ta kalojnë natën në çadër, pasi shtëpitë janë dëmtuar.

Recommended