KLSH kontroll tek RTSH - (22 Mars 2000)

  • 4 years ago
Arkiva Lajme - Tv Klan 2000

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar një kontroll financiar, në Radio Televizionin Shqiptar. Shkelje të mëdha financiare dhe akuza të shumta që rëndojnë mbi drejtuesit dhe ish-drejtuesit e këtij institucioni. Miliona lekë përfitime të paligjshme nga tendera dhe diferenca në spotet publicitare. Nga kontrolli i ushtruar në RTSH rezulton se nuk ishte inventarizuar dhe arkivuar asnjë dosje e tenderave të zhvilluara. Por shkeljet e ligjit dhe përfitimet shkojnë edhe më tej.

Sipas raportit ne tre tendera me vlerë rreth 39 milion lekë janë dhënë paradhënie 20% të vlerave të kontratës, ndërkohë që kjo vlerë duhej të arrinte vetëm në 10%. Ndërsa në 10 tendera me vlerë 47.5 milion lekë janë lidhur kontrata me firmat fituese për blerje llampash elektronike pa përcaktuar në to sanksionet. Gjithashtu për tri kontrata me vlerë 35 milion lekë nuk është respektuar afati kohor dhe nuk i janë ndaluar firmave private 433.3 mijë lekë kamat vonesë e cila është dëm efektiv.

Në dy tendera janë lidhur shtesa në kontratë njëra me vlerë 11 milion lekë pas periudhës tre mujore dhe tjetra me vlerë 994.980 lekë pa mbaruar kontratat e mbëparshme. Sipas kontrollit të ushtruar vihen re edhe shkelje të tjera në procedura financiare gjatë periudhës 1997-1999.

Në bazë të këtij kontrolli mbi RTSH, Kontroli i Lartë i Shtetit ka prpozuar masa disiplinore, si vërejte paralajmëruese për drejtorin e RTSH Edi Mazin, por edhe për ish-drejtuesit e këtij institucioni, Tv Klan ju drejtua disa prej të akuzuarve drejtues të RTSH./tvklan.al

Gazetare ? Mimoza Picari