Report TV - Nga dritat te spektakli i fishekzjarrëve/ Dhjetëra qytetarë në sheshin 'Skënderbej'
  • 4 years ago
Troket 2020-a. Një vit i ri me urimet për më shumë mbarësi, begati e lumturi. Një vit i lënë pas me ngjarjen më të vështirë që përjetoi populli shqiptar, atë të tërmetit të 26 nëntorit që la pas 51 viktimë, qindra të plagosur, e mijëra të pastrehë. Si asnjëherë më parë, ndërrimi i viteve nuk i gjeti të gjithë shqiptarët me një çati mbi kokë, me ngrohtësinë e shtëpisë dhe të tryezës së shtruar me delikatesë nga amvisat. Shumë e pritën 2020-ën në çadra e të tjerë në palestra. Në sytë e tyre mungon atmosfera e festës dhe urimi që kanë njëzëri, është: Një shtëpi e re sa më shpejtë.

Përndryshe, në Tiranë, spektakli i fishekzjarrëve në sheshin "Skënderbej" mblodhi në qendër të kryeqytetit të mëdhenj e të vegjël për të pritur Vitin e Ri 2020 krah njëri-tjetrit nën magjinë shumëngjyrëshe por edhe tingujt e muzikës së bukur shqiptare në koncertin e organizuar nga Bashkia e Tiranës.Report Tv dhe Shqiptarja.com qëndruan në transmetim maratonë me lidhje të drejtpërdrejta nga Tirana dhe disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë. Pjesa më e veçantë që rrëmben vëmendjen e të gjithëve dhe kërkon solidaritet, janë ata banorë të cilët nuk festojnë si të tjerët. Më të vegjlit, të moshuarit, ishin në fokusin e kamerës së Report Tv, duke shfaqur gëzimin dhe lotët në sytë e tyre teksa urojnë shqiptarët të mos kalojnë tmerret që ata përjetuan. Rreth 10 mijë shqiptarë nuk e pritën Vitin e Ri në shtëpitë e tyre. Gazetari Andi Kapxhiu ishte pranë banorëve në palestrën e shkollës numër 4 në Krujë duke përcjellë historitë e tyre njerëzore, ndërsa Report Tv në mënyrë simbolike i shtroi në tryezë dy torta për të sjellë sadopak tek ta atmosferën festive që po ndjen Shqipëria.

Kushdo që dëshiron të kontribuojë për t'u ardhur në ndihmë këtyre personave, mund të dhurojë në faqen online e-albania.al/dhuro.

Shqiptarja.com dhe Report Tv ju uron Gëzuar Vitin e Ri 2020, ardhtë i paqtë për të gjithë shqiptarët!
Recommended