Report TV - Bllokimi i Gjykatës së Lartë, KLGJ ngre alarmin: Duhen 17 vite për të shqyrtuar dosjet!
  • 5 years ago
TIRANE - Për tu shqyrtuar dhe dhënë një vendim nga drejtësia shqiptare për mijëra dosje të bllokuara në sistemin e drejtësisë do të duheshin minimalisht edhe 17 vite.

Është ky alarmi i ngritur nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë në raportin e tij për situatën e gjyqësorit prezantuar prej tyre pak kohë më parë.

Në raportin e siguruar nga ReportTv deri në vitin 2036 qytetarët shqiptarë do duhet të presin me shpresën se e drejta do të vihet në vend.

Ky parashikim përkon me situatën në Gjykatën e Lartë ku aktualisht janë mbi 22.000 dosje të bllokuara ndërsa sipas KLGj situata pritet të bëhet me rëndë ku në këtë gjykatë nga apelet pritet të mbërrijnë dyfishi i kësaj shifre mbi 31.000 dosje të tjera.

Aktualisht Gjykata e Lartë është e bllokuar dhe aty nga 19 anëtarë në detyrë është vetëm një, Ardian Dvorani ndërsa pjesa tjetër është dorëhequr dhe shkarkuar prej procesit të vetting.

Një tjetër situatë e zymtë e krijuar me sistemin e drejtësisë është edhe vonesa e zbardhjes së vendimeve nga gjyqtarët.

Me postulatin se drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar, listën e gjykatave që nuk zbardhin në kohë vendimet e kryeson Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Vlorë me 407 raste; Gjykata e Apelit Vlorë me 332 raste; ndjekur më pas nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnje me 161 raste dhe Gjykata Administrative e Apelit me 106 raste.

Kjo situatë sipas KLGJ vjen për shkak të mungesës së gjyqtarëve të cilët janë shkarkuar prej vetting apo pjesa tjetër është vetëlarguar.

Aktualisht në proces KLGj ka zhbllokimin e gjykatës së lartë ku ka nisur fazën e emërimeve dhe nga 22 kandidatë që aplikuan në fazën e dytë janë përzgjedhur vetëm 8 vetë.
Recommended