Report TV - Pasojat e bojkotit/ PD dhe aleatët humbasin financimin nga shteti, por jo selitë

  • 5 years ago
Vendimi i Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe disa partive të tjera opozitare për të dalë jashtë sistemit politik, përmes djegies së mandateve të përfaqësimit në Parlament, pasuar me bojkotimin e zgjedhjeve lokale, po sjell pasoja të rënda për fatin tyre politik. Aksioni politik i ndërmarrë në shkurt të këtij vitit për të rrëzuar Edi Ramën dhe për të ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve të parakohshme, sot ka përfunduar me një opozitë me jashtë sistemit, me zero përfaqësim në njësitë vendore dhe parlament, e izoluar dhe në konflikt me SHBA-BE, e përçarë në dysh për 13 tetorin, pa strategji, pa privilegje dhe në kuotat më të ulëta të besueshmërisë sipas sondazheve.

Por, këto janë vetëm pasojat e para. PD, LSI, PR, PAD, LZHK, PDK dhe PBDNJ, me bojkotimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, kanë humbur automatikisht të drejtën për të marrë para nga buxheti i shtetit për zgjedhjet lokale të 2023. Kodi Zgjedhor në nenin 87/3, pika 3 përcakton se, për zgjedhjet e për qeverisjen vendore si kriter për ndarjen e fondeve përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ-ja për zgjedhjet paraardhëse për qeverisjen vendore. Në 2023, KQZ-ja do t?i referohet rezultatit që partitë opozitare kanë marrë në 30 qershor 2019, që është zero, për shkak të bojkotit. Por, partitë opozitare, të cilat bojkotuan zgjedhjet lokale, do të financohen nga buxheti i shtetit në zgjedhjet parlamentare të 2021, pasi kanë marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 2017.

Recommended