Situata ne selite e PS dhe PD (Ora 15:30)

  • 5 years ago
Në Partinë Socialiste situata paraqitet e qetë. Gazetarja e Tv Klan Elia Zotka raporton se gjendja ngjason me një ditë të zakonshme dhe jo me një ditë zgjedhjesh.

"Nuk ka pasur deri tani asnjë dalje publike dhe nuk mendohet të ketë asnjë të tillë deri në orën 19:00 kur është paralajmëruar të mbyllet i gjithë procesi i zgjedhjeve. Prej orës 10:00, Kryeministri Edi Rama është në zyrën e tij së bashku me kandidatin për Bashkinë e Tiranës, kryebashkiakun Erion Veliaj. Ata ndodhen në selinë rozë ku edhe kanë drekuar. Sipas socialistëve, këto zgjedhje deri në momentet që flasim kanë një ecuri pozitive. Kjo edhe për shkak të parashikimeve që ata kishin bërë. Vetë Kryeministri Edi Rama kishte pranuar se nuk do të ishte e lehtë për të siguruar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve, kjo edhe për shkak të deklaratave të opozitës që kishte thënë se nuk do të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve, po ashtu edhe për shkak të deklaratave të përsëritura të Presidentit të Republikës që kishte deklaruar se nëse shkohet në zgjedhje në 30 Qershor, do të rrezikonim një skenar të ngjashëm me vitin 1997. Në selinë e PS ndodhen edhe grupimet që bëjnë projeksionet e çdo zgjedhje, dhe sipas tyre deri në këto momente që flasim ka pasur një pjesëmarrje 18.1%, afër 119 mijë votues", tha gazetarja Elja Zotka.

E njëjta situatë paraqitet edhe në selinë blu. Drejtuesit e Partisë Demokratike, edhe pse nuk marrin pjesë në zgjedhje, ndjekin procesin e votimeve. Gazetarja e Tv Klan Jëlldiz Mitro bëri me dije se PD ka identifikuar disa persona që kanë votuar më shumë se një herë dhe do t'i denoncojnë gjatë orëve në vijim. Në seli ndodhet edhe kryedemokrati Lulzim Basha.

"Ka një staf pune të ngritur ku po monitorohet çdo informacion që vjen nga terreni. Partia Demokratike ka identifikuar edhe persona që kanë votuar më shumë se një herë në një qendër votimi. Në selinë blu ndodhet edhe Basha", u shpreh gazetarja Jëlldiz Mitro.

Recommended