Report TV - KQZ: Për zgjedhjet lokale votuan 22.9% e zgjedhësve

  • 5 years ago
Në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit kanë votuar 812 mijë persona ose 22.9% e shqiptarëve. Shifra konfirmohet për Shqiptarja.com dhe Report Tv nga burime pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në mbyllje të numërimit për kandidatët dhe këshilltarët, burime nga KQZ pohojnë se shifra e pjesëmarrjes në zgjedhje është 22.9%, referuar numrit prej 3,536,015 shqiptarë që kishin të drejtë vote në 30 Qershor. Ende nuk ka një shifër zyrtare për numrin e votave që PS-ja ka marrë për kandidatët në të gjithë vendin në të 61 bashkitë.

Por shifra është më e lartë se ajo që u raportua paraprakisht që ishte, 727.180 vota, pasi u rrit edhe numri i votuesve nga 21.6% në 22.9% duke rritur kështu edhe përqindjen për këtë forcë politike, teksa votat e pavlefshme arrijnë deri në 40 mijë. Ndërkohë që për kandidatët ende nuk ka një shifër zyrtare, për këshillat bashkiakë në të gjithë vendin PS-ja ka marrë 563 693 vota.

Nëse këtë shifër do ta krahasonim me atë të zgjedhjeve lokale të 2015, ku PS-ja mori asokohe 402.000 vota, rezulton se në 30 Qershor Partia Socialiste ka marrë 161693 vota më shumë se para katër viteve.

Në përfundim të mbylljes së votimit, KQZ informoi paraprakisht se të dielën votuan 771863 persona ose 21.6% e shqiptarëve. Me përfundimin e numërimit në disa raste dolën më shumë vota duke u kthyer në armë për opozitën dhe Presidentin për të sulmuar KQZ-në dhe shumicën. Por KQZ-ja sqaroi se shifrat ishin paraprake.

Shifrat e KQZ-së:
Në zgjedhje morën pjesë 812249 shqiptarë ose 22.97%

Votat për kandidatët dhe këshilltarët;
765825 për kandidatët për kryetarë bashkie
760933 për kandidatët për këshilltarë bashkie

Vota të pavlefshme
45767 për kandidatët për kryetarë
49986 për kandidatët për këshilltarë
Mungojnë fletët e votimit të dëmtuara dhe ato që janë hedhur gabim

Recommended