Report TV - Zgjedhjet lokale/ Plani B i opozitës, afat deri në 31 maj për komisionerët
  • 5 years ago
Data 18 mars nuk ishe afati përfundimtar për opozitën joparlamentare për dorëzimin e listës me emrat e komisionerëve për administrimin e zgjedhjeve lokale. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë një tjetër mundësi, e parashikuar në ligjin zgjedhor, për të propozuar gjysmën e anëtarëve të Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të), nëse vendosin të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, sikundër kanë sinjalizuar ditët e fundit. Konkretisht, afati i fundit për opozitën për propozimin e komisionerëve është data 31 maj. Kodi Zgjedhor, në nenin 29, parashikon që kur partitë politike në opozitë nuk paraqesin kandidatët për komisionerë, vendet vakante plotësohen nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve me komisionerë të pavarur, të cilët plotësojnë kriteret ligjore.

Por, pika pesë i këtij neni parashikon që anëtarët e KZAZ-ve të emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike. Sipas kësaj pike, zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. Në rastin konkret, zgjedhjet lokale do të mbahen në datën 30 qershor. Referuar datës së zgjedhjeve, opozita ka afat deri në 31 maji për të propozuar anëtarët e KZAZ-ve. Ndërkaq, në rastin e zgjedhjeve të parakohshme, zëvendësimi kryhet jo më vonë se 5 ditë nga dita e zgjedhjeve. Në këto kushte, vendimi i PD-LSI për të mos propozuar komisionerët brenda afatit të parë mund të jetë një lëvizje taktike për të shtuar presionin ndaj qeverisë, me qëllim për t?i imponuar pranimin e kushteve.
Recommended