Pas sulmeve ndaj 13 KZAZ ve, në mbrëmje shpërthen edhe në Kavajë!

  • 5 years ago
Kanë vijuar në mbrëmje tensionet në Kavajë, në KZAZ nr. 42 kur disa militantë të PD janë konfrontuar me forcat e sigurisë. I pranishëm ka qenë edhe kryebashkiaku i PD i cili ka nxjerrë në terren edhe forcat zjarrfikëse të bashkisë për të sulmuar forcat e policisë.

Përgjatë ditës së sotme në 13 KZAZ të bashkive të drejtuara nga PD dhe LSI, në përfundim të mandatit, krebashkiakët urdhëruan administratën, punonjësit e policisë bashkiake dhe nxorrën militantët, që të sulmojnë Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, ngritur në institucione në administrim të këtyre bashkive, si shkolla, muze, palestra etj. Duke zbatuar dekretin e presidentit Ilir Meta që anuloi zgjedhjet e 30 qershorit, zyrtarët e këtyre bashkive kërkuan lirimin e këtyre ambienteve dhe largimin e materialeve zgjedhore. Por pati përplasje me policinë e Rendit që ruan KZAZ-të në bazë të një vendimi të KQZ-së që vijon me përgatitjet për procesin zgjedhor.

Në Kukës dhe në Burrel ishin përplasjet më të mëdha. Militantët së bashku me administratën e bashkive përkatëse, mësynë në KZAZ duke marrë materialet zgjedhore dhe duke i vënë flakën. Në Kukës me një kamionçinë në të cilën lidhën kavo, tërhoqën me forcë derën e KZAZ-së në një palestër gjimnazi, dogjën goma dhe qëlluan me gurë efektivët e forcave speciale vendosur brenda KZAZ-së.

Situata të tensionuara pati në Pogradec, Bilisht, Kukës, Çorovodë, Burrel, Kamëz, Berat, Klos, Gjirokastër, Dropull, Delvinë, Kavajë dhe Lezhë.

Në përgjigje të turmës, policia u detyrua të përdorë gazin lotsjellës në disa raste. Edhe në Kamëz pati përplasje mes forcave të policisë, punonjësve të bashkisë ku mbetën edhe të lënduar nga përplasjet dhe gazi.

Recommended