Shumica në KQZ injoron dekretin: Akt nul! Zguri braktis mbledhjen: Duhet t’i bindemi Presidentit

  • 5 years ago
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ju bind dekretit presidencial për të ndërprerë punën për përgatitjet e 30 qershorit. Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri ishte i vetmi që kërkoi zbatimin e vendimit të presidentit. Por pasi braktisi mbledhjen, 4 anëtarët e propozuar nga PS e konsideruan aktin nul, pa marrë asnjë vendimmarrje, dhe vijuan me rendin e ditës si të ishte një situatë normale, duke shpërndarë fondet për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

***

Presidenti Ilir Meta, sot, me dekretin për anulimin pa afat të zgjedhjeve të 30 qershorit, urdhëroi po ashtu KQZ-në, të zbatojë dekretin, që për herë të parë në vetvete është një zhdekretim i datës së zgjedhjeve që vetë ai ka firmosur pas konsultimeve me partitë politike.

Klement Zguri, kryetar i KQZ-së, institucionit të administrimit të zgjedhjeve, tha se nuk mund ta vazhdojë drejtimin e mbledhjes, pasi situata është shumë e vështirë për të. Ai tha se nuk është Gjykatë Kushtetuese për të gjykuar nëse dekreti i Presidentit është apo jo i ligjshëm. Zguri theksoi se dekreti duhet respektuar, dhe nuk duhet të vendoset në diskutim. E quajti një sfidë, pasi nga njëra anë ka dekretin e Presidentit të cilin thotë se është i detyruar ta zbatojë, dhe nga ana tjetër kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për ta shpallur të pavlefshëm dekretin e Metës për të anuluar zgjedhjet.

Zguri zgjodhi të braktisë mbledhjen e KQZ-së për të mos shkuar në tensione, dhe kërkoi t'i bashkëngjiteshin në këtë vendim edhe kolegët e tjetër të KQZ, por asnjë nuk u ngrit nga tavolina duke vijuar mbledhjen nën drejtimin e Denar Bibës, nënkryetarit të KQZ-së, i cili në rastet e largimit të kryetarit, merr kompetencat e tij në mungesë të tij.

Katër anëtarët e tjerë të KQZ vijuan mbledhjen. Nën kompetencat e kryetarit, Denar Biba tha se dekreti është i pavlefshëm dhe se KQZ duhet të vijojë me procesin zgjedhor për më 30 qershor. KQZ e konsidero akt nul, arsye për të cilën anëtarët e PS nuk morën asnjë vendim. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhej në orën 12:00, por me mbërritjen e dekretit të 'urdhërues' të presidentit për zbatimin e anulimit të zgjedhejve u shty për në orën 14:00. Mbledhja urgjente erdhi pas deklaratës së jashtëzakonshme të Presidentit Ilir Meta që sot firmosi para kamerave dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve dhe anulimin e tyre në një afat të pacaktuar.

Recommended