Report TV -Çështja Dako/ Rama: Prokuroria reagim të vonuar! PD bën gjyqe publike

  • 5 years ago
Kryeministri Edi Rama, nga Ura Vajgurore, është ndalur që të komentojë edhe deklaratën e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela mbi dosjen e përgjimeve të bëra publike nga gazeta gjermane "Bild".

Ai e ka cilësuar këtë reagim si të vonuar, në një kohë kur "vendi po ziente" me lajme të tilla. Rama ka theksuar Partia Demokratike po bën gjyqe publike, pa u bazuar në fakte apo prova, pasi sipas tij, mbi bazën e këtyre përgjimeve nuk mund të dilet në përfundimin që kryebashkiaku Vangjush Dako është fajtor. Këtë, theksoi kreu i qeverisë, e vendos vetëm drejtësia.

"Përgjimet e neveritshme, se askush nuk mund të çohet dhe të thotë që ne kemi hapur gojën apo për të çuar dorën për të penguar drejtësinë. Nuk na ka parë askush për të marrë në mbrojtje këdo qoftë që duhet të dalë para drejtësisë, ajo do e vendos kush është i fajshëm apo i pafajshëm. Drejtorin e Tatimeve ata (PD) e kishin të dënuar dhe e çonin përditë si të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë. Ne e kemi bërë të qartë ndarjen, drejtësia ka punën e vetë dhe prandaj jemi e vetmja forcë për të çuar deri në fund atë reformë në drejtësi. Ata duan që të bëjnë gjyqe popullore, pa prova, pa hetime pa asgjë", tha Rama.

Këto deklarata, kryeministri Edi Rama i bëri teksa ishte i pranishëm në Urën Vajgurore, ku prezantoi përpara banorëve kandidaten për kreun e Bashkisë, Juliana Memaj. Memaj rikandidon për një mandat të dytë, dhe sipas Ramës, kjo është një formë "shpërblimi" për këdo kandidat që ka punuar shumë fort për të bërë "Bashkinë që duam".

"Kemi marrë mbështetjen e njerëzve se e kemi merituar me punën që kemi bërë dhe me raportin që kemi ndërtuar me ne. Ne jemi shumë, ata janë shumë pak dhe do jenë gjithnjë e më pak, janë dembel e të paaftë për të drejtuar. Ndërsa ne pavarësisht të metave që kemi, jemi punëtor, i kemi rikandiduar bazuar te puna që kanë bërë", tha Rama.

Recommended