Letra e shtatë/ Rama-demokratëve: Basha ju braktisi se ka frikë nga zgjedhjet dhe drejtësia
  • 5 years ago
"Nuk ka 6, pa 7", tha kryeministri Edi Rama pak ditë më parë dhe letra e shtatë nuk vonoi. Ndryshe nga herët e tjera, kjo letër nuk i është dërguar kreut të PD, Lulzim Basha, por qytetarëve demokrat. Në ditën kur PS çel zyrtarisht fushatën elektorale, Rama ka zgjedhur t'u drejtohet demokratëve, sipas së cilit janë braktisur nga PD dhe lidershipi i saj. Sipas shefit të qeverisë, ky bojkot i zgjedhjeve i opozitës ka ardhur sepse Basha i trembet një disfate elektorale të radhës dhe drejtësisë.

Nuk do të "ik", nuk do të ketë shtyrje zgjedhjesh, paralajmëron se kushdo që pengon zhvillimin e tyre do të marrë dënime të rënda siç parashikon Kodi Penal dhe në fund një premtim për demokratët dhe qytetarët që jetojnë në bashkitë që drejtohen nga PD. Duke ua bërë të qartë, se nëpërmjet kësaj letre nuk po kërkon votën e demokratëve, ai shprehet se do të japë më të mirë për "bashkitë e Kukësit, Shkodrës, Kamzës, Lezhës, Devollit, Mallakastrës e me radhë bashkive blu, qeverisjen e munguar deri më sot". Ky është thelbi i letrës së shtatë të kryeministrit Edi Rama. Kryeministri argumenton edhe pse zgjedhjet pa opozitën janë brenda standardeve.

Shprehet absolutisht kundër shtyrjes së zgjedhjes, duke argumentuar se nuk pranon që të lëvizë 30 qershori, vetëm sepse opozita nuk pranon të hyjë në zgjedhje. Ai thekson se për të do ishte më e lehtë që të merrej me punët e qeverisë, dhe jo të lëvizte nga qyteti në qytet për fushatë, por sipas tij është Kushtetuta që i vë fre kësaj "dëshire".
Recommended