Mogherini Shqipëria gati, negociatat të çelen sa më shpejtë! Hahn Reformat duhen shpërblyer nga BE

  • 5 years ago
Përfaqësuesja e Lartë e BE, Federica Mogherini tha se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për çeljen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ajo tha se rekomandimi është i qartë dhe nuk ka kushte dhe për ketë arsye nuk duhet të ketë asnjë vonesë në vendimmarrjen e Këshillit të Evropës.

"Unë mendoj se mesazhi ynë është i qartë. E kemi thënë në raport, dhe në këtë konferencë, dhe do ta themi: Rekomandimi që i jep komisioni këshillit është çelja e negociatave sa më shpejtë të jetë e mundur sepse këto shtete janë gati. Diskutimet do të ekzistojnë mes vendeve anëtare, a janë ato gati? Pas rekomandimit të vjetshëm, Shqipëria dhe Maqedonia janë gati për çeljen e negociatave për anëtarësim. Është çelja, nuk është anëtarësimi nesër. Rekomandimi është i qartë, i kthjellët, për çeljen e negociatave. Rekomandimi është i qartë si drita e diellit, nuk ka kushte", tha Mogherini.

Në të njëjtën linjë, edhe eurokomisioneri Hahn deklaroi se vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jepet sa më shpejt për të sinjalizuar vendet se reformat e duhura shpërblëhen. Ai tha se nuk mund të parashikojë vendimmarrjen e vendeve skeptike si Franca apo Holanda, por theksoi se vendimmarrja duhet të merret sa më shpejtë, pasi progresi që Shqipëria dhe Maqedonia kanë bërë nga koha e rekomandimit të shkuar në vitin 2018, është mjaft i dukshëm dhe duhet shpërblyer.

"Këshilli tha qartë se do të merrte një vendim këtë qershor. Nuk mund të parashikoj vendimmarrjen e tyre (Francës dhe Holandës). Ajo që mund të themi është që vendimmarrja të jetë sa më shpejt, për t'i dhënë mesazhin e qartë vendeve të Ballkanit se reformat e duhura shpërblehen nga BE. Sepse është në interes ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë proces sa më shumë të jetë e mundur. Jemi të bindur që kjo gjë duhet të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur që të gjitha përpjekjet e mëdha politike të respektohen në mënyrë domethënëse. Në këtë kuadër nuk është vetëm një sinjal për vende të veçanta por për të gjithë rajonin", tha Hahn.

Recommended