Hajdari dhe Gjoni llogari Ramës: A keni bërë pakt të fshehtë me Bashën? Balla: Kurrë!
  • 5 years ago
TIRANE-Kryetarja e grupit demokrat në Kuvendin e Shqipërisë Rudina Hajdari dhe deputeti Ralf Gjoni që u fut nga listat e LSI-së pas daljes së opozitës në rrugë i kërkuan sot kryeministrit Edi Rama që të shprehet nëse ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Lulzim Bashën.

Rudina Hajdari u shpreh se "Unë e ndjej se këto kanë bërë marrëveshje, por jo për shqiptarët, por për zuzarët. I detyrohem këtij vendi shumë". Ndërsa Gjoni ngriti pyetjen "A ka marrëveshje politike, sepse kjo mbetet për t'u sqaruar, pasi po përflitet se Rama-Basha po përgatisin marrëveshjen e radhës politike, edhe këto janë kthyer në element statistikor, 2008, 2017, mund të bëhet edhe ndonjë tani. Marrëveshjet nuk kanë sjellë asgjë, veç për 2-3 peshq të mëdhenj të pa ndëshkuar dhe cënuar" tha ai. Ndërsa deputeti tjetër që u fut nga listat e PD-së, Lefter Maliqi tha se "Dyshoj se këta do të bëjnë marrëveshje, por ishalla ndryshojnë sistemin".

Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj Rudina Hajdarit dhe Ralf Gjonit duke u shprehur qartë dhe prerë se kurrë nuk do të ketë marrëveshje me Bashën në kurriz të Kushtetutës. "Zoti Gjoni, Murrizi dhe Hajdari nuk bëjmë kurrë marrëveshje në kurriz të Kushtetutës, zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor" tha Balla.

Ndërsa ish-ministri Arben Ahmetaj duke komentuar protestat e opozitës u shpreh se "Sot simboli i opozitës është kthyer bomba molotov, pse duhen zënë rrugët dhe të bësh zhurmë. Parlamenti sot është mbushur dhe ju falenderoj që nuk keni pyetur për vullnetin e partive tuaja, që bomba motolov nuk mund të jetë patenta dhe simboli i një opozite dhe integrimi duhet të jetë e përbashkëta. Në 30 qershor do të kemi zgjedhje, sa të qeta nuk e di" tha ai.

Pas djegies së mandateve dhe daljes në rrugë opozita ka zhvilluar disa protesta, nga të cilat 5 kombëtare, ku 3 prej tyre kanë qenë të dhunshme, të fundit në 11 dhe 13 maj. Ndërsa protesta e radhës e paralajmëruar është në 25 maj. Kryeministri Rama ka shtrirë dorën për dialog, por Basha vendosi tha se është gati që të ulet me ndihmën e ndërkombëtarëve, por pa kreun aktual të qeverisë.
Recommended