21 Janari, kërcënimi i Berishës për Ramën: Nëse prek institucionet, të pret ajo që s'e mendon

  • 5 years ago
Në 22 Janar të vitit 2011, një ditë pas tubimit në bulevard përpara Kryeministrisë ku u vranë nga Garda e Republikës katër protestues të opozitës, asokohe Partisë Socialiste, Sali Berisha doli në një deklaratë për mediat. Atëherë kryeministër, pas akuzave kundër Edi Ramës, që sot ndodhet në vendin e tij, Berisha e paralajmëronte se do të mbante përgjegjësi për atë që kishte ndodhur dhe nëse do të sulmoheshin institucionet.

"Zoti Rama do të mbajë përgjegjësi për këtë që ka ndodhur, dhe unë e garantoj që do të mbajë përgjegjësi të plotë, jap garanci të plotë për këtë dhe përgjegjësi shumëplanëshe. Mos synoni që të sulmoni institucionet, se u garantoj, unë Sali Berisha dhe të gjithë punonjësit e këtyre institucioneve do u rezervojmë ju atë që nuk do të jeni në gjendje kurrë më të mendoni për t'i sulmuar. Skenarë të tillë nuk do të pranohen, do të ndëshkohen, cilindo që do të guxojë që të shkelë ligjin do të përballet me pasojat direkte" deklaronte asokohe Berisha.

Por tashmë historia e ka vendosur Sali Berishën përballë fjalëve të tij. Në protestën e fundit të opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike ditën e shtunë para Kryeministrisë, selia e qeverisë u sulmua me molotov, por edhe Kryesia e Kuvendit, parlamenti, policia dhe gazetarët.

Recommended