Demokrati pranoi mandatin në KQZ, por e refuzoi në Kuvend, Ruçi: Suksese në jetë!
  • 5 years ago
TIRANE-Një situatë e pazakontë ndodhi sot në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Indrit Hoxha nga listat e PD-së nuk pranoi që të merrte mandatin e deputetit duke e refuzuar në sallën e Kuvendit. Në momentin që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi thirri emrin e tij që ngrihej nga karrigia dhe të betohej, ai e refuzoi. Hoxha, pjesë e forumit Rinor të PD-së pak ditë më parë dorëzoi dokumentacionin, pra formularin e vetëdeklarimit në KQZ duke e pranuar mandatin, por sot e refuzoi. Duket se skenari ka qenë i përgatitur.

Report Tv mëson se pas marrjes së mandatit nga KQZ-ja, dje ai zhvilloi një takim me kreun e FRPD-së, Belind Këlliçi. Indrit Hoxha në fjalën e tij shpjegoi edhe arsyet se përse nuk pranoi që të betohej duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin dhe se ka kapur drejtësinë. Ndërkohë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi fillimisht iu drejtua duke i thënë se nuk ishte vendi për të bërë deklarata, por vetëm të betohej ose jo, ndërsa më pas u shpreh se është e drejtë e tij që të bëjë ose jo betimin.

"Është e drejta jote kushtetuese të mos bësh betimin, rrugë e mbarë suksese në jetë". E ndërsa Hoxha nuk pranoi mandatin, tre kandidatë të tjerë pranuan mandatin nga listat e PD-së dhe LSI-së; Klajdi Qama, Kujtim Gjuzi dhe Koço Tahiri. Deri tani, numri i deputetëve shkon në 115 në Kuvend, 79 nga shumica dhe 36 nga opozita (14 LSI+22 PD) ndërkohë që duhen edhe 25 deputetë për të plotësuar numrin 140.
Recommended