Balluku zbulon gjobat ndaj koncensionarit kinez, çfarë i kërkoi qeveria pas grabitjes së parë

  • 5 years ago
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se koncensionari i aeroportit të Rinasit, është gjobitur disa herë për shkelje të kushteve të kontratës për sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", të vetmin në Shqipëri. Ministrja Balluku tha se koncensionari kinez i ka paguar gjobat, por nga ana tjetër nuk do të përmbushë kushtet e sigurisë

Gjobat kanë qenë në vlerën 5 qind mijë lekë të reja - tha ministrja Balluku në një konferencë për mediat nga ambientet e aeroportit të Rinasit.

"Reagimi i djeshëm i koncensionarit që i tregon shtetit se si i ka plotësuar kushtet, është fyues për ne. Janë marrë masa administrative 5 qind mijë lekë të reja është penalizimi, dhe janë marrë këto masa", tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se koncensionarit i është kërkuar që rrethimi i aeroportit të jetë sa më i lartë, duhet të jetë betoni dhe jo me rrjet, rrethim i trashë dhe i paprekshëm!

"Gjithmonë janë bërë modifikime të vogla, po ju jap rastin e derës a nga e cila ka ndodhur problemi në 2016. Kushtet e sigurisë janë bërë në mënyrë sipërfaqësore nga koncensionari. Është premtuar gjithmonë, do i bëjmë për x ditë, për 60 ditë, ose gjithmonë kanë bërë plotësime minimale të kushteve, për të mos u ndëshkuar. Nuk e prisnim që kjo ngjarje të ndodhte, megjithatë shteti ka qenë i vëmendshëm, dhe sic e patë reagimi i Policisë së Shtetit, ka qenë brenda sekondash, se përndryshe do kishim të njëjtën histori që personi që u vra nga policia do na rikthehej pas 6 muajsh. Më parë kamerat e sigurisë në aeroportin e Rinasit nuk punonin, dhe janë përdorur kamerat e Albcontrol, kamerat për ulje ngritjen e aeroportit. Sot, koncensionari ka marrë masa, ka vënë kamera sigurie, por janë masa të pamjaftueshme", tha Balluku.

Një tjetër kërkesë konkrete që i është bërë koncensionarit kinez të aeroportit të Rinasit, tha ministrja Balluku - është që të identifikohen të gjitha makinat e aeroportit përmes çipeve, dhe të ketë një sallë monitorimi që në momentin që preket gardhi rrethues, të jepet sinjali. "Nga ç'duket koncensionari nuk është i interesuar të investojë për sigurinë në aeroport, duke cënuar sigurinë kombëtare", tha Balluku.

Ministrja tha se për këtë situatë ka kërkuar të komunikojë me presidentin e koncensionarit kinez "China Everbright Limited", i cili mbërrin sot në Tiranë. "Situata nuk ma lejon të ulem më me menaxhmentin e TIA-s që ka treguar mungesë profesionalizmi", përfundoi Balluku.

Recommended