Report TV -Betohen 7 të rinjtë, 4 pro qeverisë/ Maliqi në karrigen e Bashës

  • 5 years ago
Shtatë deputetë të rinj u betuan sot në Kuvendin e Shqipërisë, duke marrë mandatin prej të cilit hoqi dorë në bllok opozita e bashkuar, PD, LSI dhe aleatët e djathtë. Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti, u betuan sot në seancë ku morën edhe duartrokitjet e deputetëve socialistë. Katër nga shtatë deputetët e rinj që u betuan votuan pro projektligjit për nxitjen e punësimit, një kundër, një abstenim dhe njëri nuk ishte i pranishëm.

Lefter Maliqi, mori fjalën për herë të parë ku i bëri thirrje demokratëve të mos gënjehen nga kryetari Basha, që sipas tij është një lidership me mandat të dhuruar që kërkon të bëhet sipas tij, kryeministër me dhuratë, pa kërkuar votën qytetare. Ai zuri në Kuvend, karrigen e kryetarit demokrat Lulzim Basha.

Alban Zeneli, sërish nga lista e PD-së, tha se nuk ka marrë asnjë kontakt nga Partia Socialiste për të pranuar mandatin, siç u hodhën akuza nga PD dhe LSI.

Ligoraq Karamelo, tha se opozita e re po organizohet për të vepruar si një grup i përbashkët të cilit do t'i bashkohen edhe deputetë të tjerë. "Brenda dy muajsh rreshti ku ulet opozita në Kuvend, do të plotësohet", tha më herët Lefter Maliqi.

Ndërsa kandidatë të LSI-së që pranuan mandatin dhe u bënë deputetë, nuk dhanë asnjë koment lidhur me epitetin që i vuri kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, "tradhtarë". Zgjodhën ta shpërfillnin.

Edhe në këtë seancë parlamentare, Kuvendi ishte i rrethuar me forca të shumta policie, pasi më herët opozita kishte deklaruar se do të protestonte sa herë të kishte seancë. Por mesa duket është lënë jashtë vëmendjes së opozitës, pasi Basha sot ishte në takime me qytetarët në Peshkopi. Duket kjo një mbledhje energjish për protestën e 16 marsit para kryeministrisë.

Deri më tani në Kuvend janë 14 deputetë të opozitës. (7 që morën mandatin sot, 4 kandidatë u betuan më parë dhe tre deputetët që nuk hoqën dorë nga mandati (Mylzim Murrizi, Lefter Koka dhe Rudina Hajdari). Kanë dorëzuar ndërkohë formularët e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Rdy kandidatë nga LSI, Ralf Gjoni nga Qarku i Tiranës dhe Nimet Musai në qarkun e Tiranës. Mbetet vetëm procedurë që KQZ t'i japë zyrtarisht mandatin dhe ata të betohen në seancën e radhës të Kuvendit si deputetë, duke e çuar deri më tani, në 16 numrin e opozitarëve në Parlament.

Recommended