3 milion dollarë për vettingun në polici, Sandër Lleshaj propozon ndryshime në ligj
  • 5 years ago
Pak javë pasi komisioni i jashtëm dhe sekretariati teknik që do të kryejnë vettingun në policinë e shtetit nisën nga puna me zyra tek ish garda e republikës, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj propozon ndryshime ligjore.

Me argumentin se kosto financiare ka bllokuar për mbi 8 muaj nisjen e vettingut në polici dhe pamundësisë për kapjen e afateve kohore Lleshaj shprehet se veç 30 gradave të lartë me përparësi duhet të kalojë në vetting edhe struktura e SHÇBA-së.

Me kalimin e agjentëve të shërbimit të brendshëm dhe ankesave në vetting sipas relacionit të siguruar nga reporttv, ata do të shërbejnë më pas për të kryer vettingun e fazës së dytë dhe të tretë që prej 12 mijë uniforma blu.

Në sitën e vettingut në rradhët e policisë sipas ligjit 12/2018 kalojnë drejtuesit e lartë e më pas duke zbritur deri tek oficeri më i thjeshtë, por e gjitha kjo e ezauruar në 2 vite.

Këto afate kohore kur vettingu në polici ka hyrë në fuqi në 2018 duhet të kapen deri në 2020 çka realisht është e pamundur dhe ka sjell nevojën e ndryshimeve në ligj.

Një tjetër detaj sipas relacionit ështe edhe kosto financiare e cila përllogaritet në 3 milion dollarë për të kaluar në vetting mbi 12 mijë efektivë.

??Sipas parashikimeve procesi i vlerësimit do të kushtojë rreth 300 milionë lekë ose rreth 3 milionë dollarë. Në këto kushte, duke pasur parasysh se vetë elementi financiar ishte një nga arsyet që solli vonesa në implementimin e procesit, Ministria e Brendshme, pas një analize të thellë dhe shumëplanëshe propozon një mekanizëm të ri për vlerësimin, i cili mund të arrijë po të njëjtat objektiva, pra të pavarësisë, paanshmërisë dhe objektivitetit të procesit, me më pak kosto për buxhetin e shtetit?? thuhet në këtë dokument.
Recommended