Arrestohet efektivi i FNSH-së pasi ngacmon studenten: E pëlqej, e kapa për krahu!
  • 5 years ago
Një efektiv i Policisë është shoqëruar nga kolegët e tij dhe po merret në pyetje, pasi dyshohet se ka ngacmuar një studente në ambientet e Fakultetit Juridik në qytetin e Shkodrës, ku vajza studion.

Efektivi 25-vjeçar i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se e pëlqen studentet dhe se ja ka shprehur vazhdimisht ndjenjat e tij. Por ditën e djeshme, një incident është shënuar në auditoret e Juridikut, ku efektivi ka shkuar të isedojë me studentet. Ai ka hasur në kundërshtinë e saj, dhe sipas deklarimit të tij në polici, efektivi e ka tërhequr me forcë për krahu. Report Televizion mëson se kjo situatë ka ngjallur frikë tek studentja, por edhe tek shokët e saj të pranishëm, por nga ana e vajzës nuk ka pasur asnjë denoncim në polici.

Rasti është shënuar ditën e djeshme, por u bë publik sot nga një denoncim i ardhur në profilin e ish-kryeministrit Sali Berisha në Facebook. Pas këtij denoncimi, policia shoqëroi sot efektivin e FNSH-së, por nga deklarimet e dhëna prej tij asgjë nuk qëndron të jetë e vërtetë në denoncimin anonim adresuar ish-kryeministrit Berisha. Sipas denoncimit tek Berisha, efektivi kishte tentuar ta përdhunonte vajzën. "Studentet vajza janë shokuar shumë por me ndërhyrjen e djemve, përdhunuesi është mbajtur i mbyllur në banjo derisa ka ardhur policia. Policia dje nuk ka bërë asgjë", thuhet në denoncimin e mbërritur tek Berisha.

Ndërkohë sot, në rrjetet sociale të menaxhuara nga disa studentë është publikuar edhe foto e shoqërimit nga policia të efektivit të FNSH-së.
Recommended