Tenderat, ndryshohet masa për dy zyrtarë të arrestuar të Ministrisë së Drejtësisë
  • 5 years ago
Pa kaluar 24 orë nga operacioni për abuzimet me 5 tenderat e ministrisë së drejtësisë për periudhën 2016-2017 asnjë nga ish zyrtarët nuk ndodhet më në burg. Kërkesa e prokurorisë për të lënë pas hekurave 4 nga 12 ish zyrtarët është ndryshuar në gjykatë duke caktuar arrest shtëpie për ish sekretaren e përgjithshme Juliana Hoxha dhe dy kolegët e saj Aurel Lamce dhe Arlind Alikaj. Ndërsa arresti me burg dhënë në mungesë për Lusien Ali ende nuk është ekzekutuar dhe ai vazhdon të jetë person në kërkim. Këtë të premte gjyqtarja Ardiana Bera komunikoi masat vetëm për Lamcen dhe Alikajn ndërsa për Hoxhën dhe 9 të tjerët që janë në detyrim paraqitje do ti bëjë të shtunën. Sipas dosjes së siguruar nga ReportTv detyrim paraqitje është caktuar për shtetasit Marsuela Aliaj, Doralda Muka, Arlin Arapi, Orgesa Goga, Eris Sheshi, Ethem Vigani, Ornela Bleda, Ilir Çuni.

Në dy vite, 2016-2017, prokuroria ka zbuluar abuzime dhe shkelje me 5 tendera duke shkaktuar një dëm të llogaritur në miliona euro. Për këto abuzime veç 12 zyrtarëve që janë nën hetim dhe per të cilët është dhënë masë sigurie, ka nisur verifikimi dhe për dy ish-ministrat Petrit Vasili dhe Ylli Manjani. Për dy ish- ministrat po verifikohet se cili ka qenë roli i tyre në këto 5 tendera abuziv. Seanca për verifikimin e masave u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të prokurorisë së Tiranës. Abuzimet fillimisht u zbuluan pas auditit të ministrisë së Financave ku rezultoi se tenderat ishin me probleme financiare.
Recommended