Zbardhen dy urdhrat e Sandër Lleshajt: Të hiqen postblloqet në rrugë, jo më policë në semaforë

  • 6 years ago
Të mos ketë më postblloqe policore nga akset kryesore rrugore dhe të hiqet praktika e dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane. Këto janë dy urdhrat e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dërguar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Lleshaj kërkon edhe heqjen e praktikës së dublimit.

Në shkresën e Lleshaj theksohet se "duke e konsideruar qarkullimin rrugor si një ndër sfidat e rëndësishme të punës së Policisë, përmes shkresës, evidentohen probleme që lidhen me gjendjen e rrugëve, me kulturën e përgjithshme të përdoruesve të saj, me kualifikimin dhe pajisjen e punonjësve të Policisë". Ministri kërkon ndërhyrje për ndryshimin e menjëhershëm të situatës, e këtu thekson se prania e Policisë në numër të tepruar dhe statike, nuk sjell ndonjë vlerë të shtuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

"Prania e postblloqeve policore u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, teksa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ultat në rajon", thuhet në shkresën e Lleshajt.

Me qëllim që të përmirësohet më tej niveli i sigurisë në qarkullimin rrugor, kërkoj që të merren masa të shpejta dhe të plota për të zbatuar gjithnjë e më shumë patrullimin në vend të postblloqeve në akset rrugore të vendit.

Sandër Lleshaj, ministër i Brendshëm

Recommended