Ministria e Brendshme apel: Mos përdorni kapsolla, ja çfarë dëmi shkaktojnë
  • 5 years ago
Ministria e Brendshme njofton se për lëndët plasëse dhe piroteknike do të vendoset një regjim i ri që ka për synim bllokimin e tyre, pasi janë të rrezikshme. Duke iu referuar rastit të plagosjes së polices Ina Nuka në protestën e banorëve të Unazës së Re, pasi një 18-vjeçar hodhi një kapsollë, zv/ ministrja e Brendshme Romina Kuko u shpreh se provat eksperimentale kanë vërtetuar se mjetet e sekuestruara janë në gjendje të shkatërrojnë jo vetëm materiale apo inde të buta, por edhe materiale të forta si eshtrat apo edhe metalet. Ajo u bëri thirrje të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse.Në prag të festave të fundvitit, Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve, familjarëve dhe kujdestarëve që të mos inkurajojnë dhe të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit. Gjithashtu, Ministria e Brendshme fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në të gjitha rrugët e mundshme rastet e tregtimit apo përdorimit të lëndëve plasëse, atyre shpërthyese dhe mjeteve piroteknike. Ministria e Brendshme u kërkon gjithë subjekteve politike që të marrin masa për të mbajtur kontroll dhe përgjegjësi të plotë gjatë organizimit të veprimtarive, me qëllim ndalimin kategorikisht të përdorimit të mjeteve të sipërpërmendura gjatë tyre. Në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme.
Recommended