Report TV - Tension mes policisë dhe protestuesve tek Ministria e Brendshme
  • 5 years ago
Për të shtatën herë opozita shqiptare jo parlamentare proteston kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, në një ditë kur Kuvendi mban seancë plenare, e cila ndër të tjera do të finalizohet me betimin e tre deputetëve të rinj që pranuan mandatin në zëvendësim të opozitës që doli jashtë Parlamentit. Pa një skenar të bërë publik, opozita i ka mbledhur protestuesit para Kuvendit, ndërsa një pjesë e tyre qëndrojnë tek Ministria e Brendshme aty ku ministri Sandër Lleshaj pret një delegacion holandez të kryesuar nga ministri i Sigurisë dhe Drejtësisë së Holandës.

Pjesë e rendit të ditës të seancës së sotme janë ndryshimet në ligjin për vettingun në polici, si dhe një ratifikim marrëveshjeje financimi. E ndërsa protesta është njoftuar nga opozita para parlamentit, masat i ka marrë edhe Kryeministria. Hyrja e selisë së qeverisë është 'vulosur' me pllaka metalike. E njëjta metodë u ndoq edhe në protestat e shkuara, disa prej të cilave kanë degjeneruar në dhunë.

Ora 09:45
'Astiri' përplaset me policinë tek Ministria e Brendshme, pengesë për ministrin holandes
Kanë shkaktuar sërish tension banorët e zonës së Astirit udhëhequr nga ish-deputeti Klevis Balliu me forcat e policisë pranë ministrisë së Punëve të Brendshme. Banorët që kundërshtojnë projektin e Unazës së Re, dhe që i janë bashkuar protestës së opozitës, kanë tentuar të çajnë gardhin metalik në pjesën e ministrisë që lidhet me pedonalen. Një hapësirë e rrethuar me forca policie për të garantuar kalimin e deputetëve përmes pedonales drejt Parlamentit, për tju bashkuar seancës plenare.

Forcave të rendit i janë bashkuar edhe efektivët e Shqiponjave, të cilët i kanë larguar protestuesit nga gardhi rrethues. Në ministrinë e Brendshme sot mbërrin një delegacion holandez për një takim që do të mbajnë me ministrin Sandër Lleshaj. Ai do të takojë ministrin e Sigurisë dhe Drejtesisë së Holandës.
Recommended