Ora News - Durrës, drejtori i Hekurudhës kërcënohet me lëndë plasëse

  • 6 years ago
Subscribe në Ora News këtu http://bit.ly/1s5j7UT
Drejtori i Hekurudhës Shqiptare, Ani Dyrmishi mori një mesazh direkt kërcënues me një bombë artizanale e imituar që ishte vendosur poshtë makinës së tij, pranë banesës në Durrës. Vetë zyrtari tha se nuk ka konflikte personale, ndaj hetimet i drejtoi tek pista për shkak të detyrës. Policia po heton për të zbuluar autorët.

Një shishe e lidhur me një celular, në formën e një bombe artizanale, por që rezultoi se ishte imitim u përdor për ti dërguar një mesazh kërcënues drejtorit të Hekurudhës Shqiptare, Ani Dyrmishi.

Pakoja e dyshimtë ishte vendosur gjatë natës poshtë makinës së zyrtarit në Lagjen Numër 4 në Durrës, dhe u zbulua në mëngjes, ndërsa drejtori i Hekurudhës ishte nisur me makinën e tij për një takim zyrtar në Greqi.

Ai nuk e ka pikasur pakon, por kanë qenë fqinjët që e kanë njoftuar se në vendin ku kishte qene e parkuar kjo makinë, kishin gjetur objektin e dyshimte dhe kishin dhënë alarmin.

Ndërsa Dyrmishi rikthehej pranë banesës, Policia kishte krijuar një perimetër sigurie në zonë në pritje të ekspertëve të xhenios nga Tirana.

Këta të fundit çaktivizuan instrumentin artizanal, ndërsa nga ekspertiza rezultoi se ishte imitim i një bombe artizanale.

Ekspertët e morën pakon e dyshimtë për të gjetur gjurmë të autorit në mekanizëm apo mbi bazë të celularit, që sipas burimeve kishte bateri të vendosur, por brenda tij nuk kishte kartë SIM.

Policia e Durrësit pavarësisht se alarmi rezultoi fals nisi një hetim për kërcënim ndaj kreun të Hekurudhave që më herët ka mbajtur edhe postin e Hipotekës së Durrësit.

Vetë Dyrmishi, i kontaktuar, tha se nuk ka konflikte personale me askënd, dhe dyshon se kërcënimi i ka ardhur për shkak të detyrës.

Ai tha për Ora News se nuk është kërcënuar me herët në asnjë formë, dhe as këtë herë nuk ka ide kush mund të fshihet pas ngjarjes.

Sipas ekspertizës, pakoja ishte vendosur në gomën e parë, poshte sediljes së shoferit dhe në rast se do të ishte e vërtete do të shkaktonte pasoja.

Në funksion të hetimit, policia e Durrësit sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve për të rënë në gjurmë të autorit.
Për më shumë lexoni në:
http://oranews.tv/article/durres-eksploziv-makines-se-drejtorit-te-hekurudhave

Recommended