Report Tv-Plotësohet amanati, Mid’hat Frashëri varroset në atdhe

  • 5 years ago
TIRANE - Kanë mbërritur në Shqipëri, që nga SHBA eshtrat e shkrimtarit dhe politikanit, Mid'hat Frashëri. Arkëmorti mbërriti në aeroportin e Rinasit rreth orës 09:00 të kësaj të mërkure. Homazhet janë zhvilluar në Akademinë e Shkencave, ndërsa eshtrat e tij u varrosën pranë vëllezërve Frashëri në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës. Ai ishte nip i Frashërllinjve të mëdhenj, Samiut dhe Naimit. Mid'hat Frashëri la gjurmë si diplomat, politikan dhe shkrimtar. Arkëmorti i Midhat Frashërit është mbuluar nga flamuri kuqezi.

Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore. Mid'hat Frashëri ndërroi jetë në vitin 1949 në Nju Jork të SHBA-ve.

Në ceremoninë e homazheve që janë zhvilluar tek Akademia e Shkencave në nderim të figurës së Frashërit, kanë marrë pjesë personalitete të shquara të jetës politike dhe publike në vend. Kryedemokrati Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha nuk munguan në këtë ceremoni dhe thanë se Mid'hat Frashëri, ishte një burrë i rrallë dhe një promotor i luftës për liri. Ndërsa në ceremoninë që u zhvillua tek hyrja e Liqenit Artificial, kryeministri Edi Rama ka thënë se figura e Frashërit është një hije plot dije për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Recommended