Report TV - Miratohet pr-ligji për lojrat e fatit, Ahmetaj i prerë: 31 dhjetori afati i fundit
  • 6 years ago
TIRANE-Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar projektligjin për mbylljen e lojërave të fatit duke e kaluar në Kuvend për seancën e së enjtes për ta vulosur përfundimisht nismën e qeverisë, që tashmë do të jetë monopol shtetëror. Kryetari i Komisionit, Erjon Braçe u shpreh se në dy javët e fundit deputetët kanë marrë presione kriminale për të mos e votuar ligjin.

Ligji nuk zbatohet për qejf. Kam dëgjuar lloj lloj arsyetimesh këto dy javë, por edhe që nuk e bëjnë dhe nuk e votojnë. Por amendamentet që miratojnë sot i japin fund përfundimisht aktivitetit të basteve, lojërave elektronike në distancë. Ja kemi dalë që pas ditës së enjte ti japim fund këtij aktiviteti, dhe më pas të luftojmë për zbatimin e ligjit dhe fenomenet që mund ta pasojnë këtë, që shkon deri në ndëshkim me burg. Lojërat e fatit kanë sjellë shumë probleme sociale. Në dy javët e fundit deputetet kanë marrë presione kriminale. Po mbyllet gjithçka, nga kazinotë elektronike, bastet, sallat e bingove, online dhe gjithçka tjetër.

Erjon Braçe
Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj tha se nuk ka kthim prapa, por 31 dhjetori është afati i fundit për ekzistencën e tyre.

Pas datës 31 dhjetor asnjë subjekt nuk mund të vendos kazino apo lojëra. Lotaria Kombëtare ka një pretendim se i lejohet të vendoste lart e poshtë lojëra, por nuk ka të drejtë, zero!.

Industria do të krijojë një diferencë në të ardhurat, por për ne nuk ka pikë rëndësie. Ne po e sfidojmë administratën tatimore, t?i mbledhin në terren. Kjo është një sfidë për të mbajtur një trajektore të ekonomisë. Kjo qeveri sot konsolidon qëndrimin sa i përket lojërave të fatit

Arben Ahmetaj
Gjithashtu ministri Arben Ahmetaj tha se për të gjithë personat që do të humbasin vendet e punës do të organizohen trajnime.

Janë bërë 10 mijë trajnime profesionale. Vitin tjetër do të jetë dyfishi deri në 20 mijë. Do të ketë mundësi për punësim për pjesën që do të dalë pa punë nga sallat e bingove dhe kazinotë. Një pjesë e këtyre kanë aftësi komjuterike dhe me pak trajnime do të gjejnë punë në zgjerimin ekonomik në shumë sektorë.

Arben Ahmetaj
Recommended