Opozita bojkoton sërish Kuvendin, dështon miratimi i ligjit të Magjistraturës dhe Kodit Rrugor

  • 6 years ago
TIRANE - Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi sot seancën e radhës, e cila u bojkotua sërish nga opozita. Prezentë në sallën e Kuvendit ishin deputetët e maxhorancës, kjo pasi opozita njoftoi një ditë më parë se do të zhvendosej në Elbasan për takimin e radhës, i cili vjen pas atij të Shkodrës pasditen e të hënës. Kuvendi kishte në rend dite rishikimin e buxhetit, pr/ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe ndryshimet në Kodin Rrugor.

Magjistratura dhe Kodi Rrugor kërkonin 84 vota dhe mungesa e opozitës bëri që këto ligje të shtyheshin sërish në pritje të konsensusit të pakicës parlamentare. Ndërsa akti normativ i buxhetit të shtetit kaloi me 78 vota. Gjithashtu, Kuvendi votoi edhe zgjatjen e hetimeve me tre muaj për komisionin hetimor "Tahiri" me 72 vota pro, 3 kundër dhe dy abstenim.

Opozita mungon prej dy seancash parlamentare për shkak të mbledhjeve urgjente jashtë Tiranës, nisur nga situata shqetësuese e kriminalitetit. Të hënën opozita u mblodh në Shkodër, ndërsa sot në Elbasan. Në Shkodër u ekzekutua të shtunën e kaluar një biznesmen, ndërsa ngjarjet e rënda kriminale vijojnë prej disa muajsh të trondisin kryeqendrën e veriut. Në këto kushte PD, LSI dhe aleatët e tjerë të opozitës shpalosën nga Shkodra betejën politike të vjeshtës "luftë kriminalitetit", ndërsa hodhën akuza ndaj qeverisë se mbron dhe nxit krimin. Nga Elbasani, Lulzim Basha u shpreh sot se vendi është i terrorizuar dhe kontrollin e kanë marrë bandat.

Recommended