Report TV Ekskluzive/ Emrat 12 kryebashkiakëve që blenë makina me ofertën më të lartë

  • 6 years ago
Dymbëdhjetë kryetarë bashkish kanë blerë makina me taksat e qytetarëve, përmes procedurave tenderuese në dukje të rregullta, por diferenca në vlerë mes fondit limit dhe ofertës fituese është e papërfillshme, madje në dy raste është zero.

Tenderat janë zhvilluar gjatë periudhës 2017-2018. Në krye qëndron kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, me tre procedura tenderuese të tilla, ku në njërën nga garat janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesit.

Kryebashkiakja Ademi ka shpallur tenderin për blerje makine me fond limit 3 330 000,00 lekë, ku oferta fituese rezulton me vlerë 3 255 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 75 mijë lekësh në favor të shtetit. Po gjatë vitit 2018, Ademi ka shpallur një tjetër tender për blerje makine, me fond limit 1 001 666,00 lekë, ndërsa oferta fituese është 950 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 51 mijë e 666 lekë në favor të shtetit apo të buxhetit të bashkisë. Në këtë tender janë skualifikuar të gjithë kompanitë e tjera konkurruese.

Gjatë vitit 2017, Voltana Ademi ka shpallur një tjetër tender për blerje makine, me fond limit 1 166 667,00 lekë, ku oferta fituese është 1 119 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 47 mijë lekësh. Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mizu, ka shpallur tenderin për blerjen e një makine me vlerë 4 750 000,00 lekë ose rreth 42 mijë USD. Oferta fituese rezulton në vlerën 4 720 000,00 lekë, me një diferencë prej 30 mijë lekësh. Kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, ka zhvilluar tre procedura tenderuese për blerje makinash, ku diferenca mes fondit limit dhe ofertë fituese është gjithashtu e papërfillshme.

Konkretisht, në tenderin me fond limit 2 750 000,00 lekë, oferta fituese është 2 690 000,00 lekë, viti 2018, më diferencë 60 000 lekë, në tenderin me fond limit 833 333,00 lekë, po për blerje makine, oferta fituese është 799 000,00 lekë, me diferencë 34 333 lekë, ndërsa në tenderin me fond limit 1 166 667,00 lekë, oferta fituese është 1 119 000,00 lekë, me diferencë 47 667 lekë. Bashkia Ura Vajgurore, me në krye Juliana Memaj, ka shpallur tenderin me fond limit 2 750 000,00 lekë, në vitin 2018, për blerje makine, ku janë skualifikuar të gjithë operatorët konkurrues përveç fituesit. Oferta fituese rezulton me 2 700 000,00 lekë, pra me një diferencë prej 50 000 lekë në favor të shtetit.

Recommended