Blofi i PD, ndryshimi i ligjit për ekstradimin i propozuar nga Xhafaj zbatim i Konventës Evropiane

  • 6 years ago
Denoncimi i opozitës që akuzon ministrin e Brendshëme, Fatmir Xhafa për një falsifikim të nenit 491 të Kodit të Procedurës penale mbi ekstradimet, duket vetëm një blof. Në fakt dispozita e re në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë për kushtet e ekstradimit të një personi të dënuar në mungesë, është në përputhje me Protokollin e II-të Shtesë i Konventës së Këshillit të Evropës mbi Ekstradimin.

Ndryshe nga sa pretendon Partia Demokratike, për deformimin dhe manipulimin e Kodit të Procedurës Penale, për të ndaluar ekstradimin e vëllait të ministrit, Agron Xhafa (për të cili kurrë nuk është kërkuar ekstradimi), legjislacioni i ndryshuar shqiptar për ekstradimin reflekton frymën e Konventës Evropiane për Ekstradimin.

Në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, në vitin 2017, është shtuar vetëm një pikë, e cila parashikon: ?Nuk mund të jepet ekstradimi kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit?.

Pra, në legjislacionin shqiptar përfshihet për herë të parë zyrtarisht garancia për rishikimin e vendimit në rast gjykimi në mungesë, një garanci që në fakt zbatohet prej vitesh edhe në Shqipëri, edhe pse nuk ishte parashikuar si detyrim brenda Kodit Shqiptar. Madje si rezulton nga dokumentet që botohet sot Shqiptarja.com edhe në vitin 2007 përshembull, kur qeveria Berisha ka kërkuar ekstradimin në Shqipëri për Izet Haxhinë, është zbatuar pikërisht ajo garanci, e shtuar vetëm në 2017 në Kodin e Procedurës, pra ka garantuar të drejtën e rigjykimit për ish truprojën e Sali Berishës, siç parashikohet nga Konventa Europiane.