Report TV - Përplasja në Elbasan, gjurmët e gishtave të Bekteshit te "Audi"

  • 6 years ago
Gjurmët e gishtave në "Audin" e blinduar dhe qelizat telefonike pranë vendit ku u godit makina e policisë në Elbasan, tradhtojnë Enea Bekteshin, 31-vjeç. Ai u arrestua një ditë më parë pas një aksioni të policisë në Cërrik ku u gjet në banesën e kunatit të tij, Aleks Pupleku ku u gjet edhe një sasi kanabisi.

Sipas grupit hetimor, Enea Bekteshi, shoku i Sokol Sanxhaktarit, dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, ka qenë drejtuesi i mjetit të blinduar i cili goditi makinën e zv/drejtorit të policisë së Elbasanit, Gjergji Oshafi. Për Bekteshin dhe Sanxhaktarin Prokuroria kërkoi që të survejoheshin e të përgjoheshin për llogari të një hetimi tentative vrasje e shkatërrim prone me lëndë shpërthyese. Përgjimi dhe survejimi u kërkua dhe për Sanxhaktarin dhe Bekteshin, por policia nuk e realizoi pasi ju përgjigj prokurorisë me pamundësi fizike të oficerëve që ishin me leje dhe të angazhuara në detyra të tjera.

Burime për Shqiptarja.com thanë se në "Audin" e blinduar janë gjetur gjurmët e gishtave të Bekteshit. Gjithashtu, një tjetër provë kundër të arrestuarit janë edhe qelizat telefonike nga të cilat rezulton se Bekteshi ka qenë në vendin ku ndodhi përplasja, pranë tregut agro-ushqimor të Elbasanit. Të njëjtat burime bëjnë të ditur gjithashtu se Bekteshi nuk ka pranuar të flasë përpara prokurorëve pa pranë e avokatit.

Recommended