Report TV - PD për vettingun: Roli i ONM sipas Kushtetutës së re, rojtar e transparent

  • 8 years ago
Demokratët i kanë kushtuar vëmendje të veçantë çdo detaji të projektligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur si ligji vettingut.

Ekspertët e PD kanë nxjerrë një sërë çështjesh që tashmë janë në tryezat e ekspertëve të të gjitha palëve të përfshirë në këtë proces, ku theksohet që në fillim se aspektet më problematike të përmbajtjes së projektligjit, nisnin që me tekstin e projektligjit i cili thuhet se nuk detajon procedurën e përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të organeve të vettingut, si dhe procesin e vlerësimit të kandidaturave, duke e lënë kështu këtë proces në diskrecionin e organeve të përfshira në procedure.

Kjo sipas demokratëve vjen në kundërshtim me delegimin që ka bërë pika 12 e nenit C të Aneksit të Amendamenteve Kushtetuese. Duke u ndalur tek roli i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe vëzhguesve ndërkombëtar, ekspertët e PD shprehen se ai duhet të jetë në përputhje me ndryshimet e reja kushtetuese, që i koncepton ato si rojtarë që sigurojnë në veçanti transparencë, ndërsa kompetencën vendimmarrëse e lenë në duart e organit të brendshëm.

Nga ana tjetër, projektligji nuk detajon rastet e përjashtimit të kandidatëve nga konkurrimi, mënyrën dhe arsyet e këtij përjashtimi, si dhe të drejtën e ankimit për përjashtimin. Në argumentet e ekspertëve të PD thuhet se në projekt ligj roli aktiv dhe përcaktues që kanë organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), pasi sjell kontroll tërësor të Kryeministrit në të paktën 2 nga 3 komponentët e procesit të rivlerësimit.

Demokratët shprehen se gjithë procesi i vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës duhet të rikonceptohet, në mënyrë që të japë të gjitha garancitë e nevojshme që do të arrihet rezultati i pritshëm. Masa e jashtëzakonshme e rivlerësimit duhet të zbatohet ekskluzivisht nga organet e posaçme të vettingut, pa asnjë rol aktiv të organeve ekzistuese, të kontrolluara apo nën varësinë e Kryeministrit.

Recommended