Report TV - Debatet/Blushi: Dua materialet zgjedhore, Ruçi: Bëj kërkesë

  • 8 years ago
Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste është shoqëruar sot me debate mes kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi dhe deputetit Ben Blushi.

Burime thanë për Shqiptarja.com se Blushi ka kërkuar t'i vihen në dispozicion materialet zgjedhore të referendumit. Ai ka ngritur dyshimet se rezultati është i stisur dhe se kutitë e votimit janë mbushur.

Por përgjigja i ka ardhur menjëherë nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi i cili i ka kërkuar Blushit që të bëjë një kërkesë zyrtare komisionit zgjedhor të partisë. Sipas tij, grupi parlamentar nuk është përgjegjës për materialet zgjedhore.

Debate në mbledhjen e grupit parlamentar ka patur edhe për punën e ministrave të qeverisë "Rama".

Ka qenë Erion Braçe ai që ka kërkuar nga ministrat se duhet të mbrojnë në parlament punën e tyre përballë opozitës.

"Ministrat duhet të jenë të pranishëm në Kuvend gjatë seancës. Ne mbrojmë punën e ministrave në Kuvend, ata mungojnë. Dhe jo të vijnë në Kuvend vetëm kur vjen kryeministri se kur është ai vetë, ju jeni rehat në sallë", ka deklaruar Braçe.

Nga ana tjetër, kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi ka urdhëruar ministrat që asnjë prej tyre të mos mungojë gjatë seancës së Kuvendit.

Recommended