Report TV - Meta në Suedi:Reforma në drejtësi në fokus të partnerëve europianë

  • 8 years ago
Avancimi i reformës së sistemit të drejtësisë do të jetë në fokus të punës së përbashkët me partnerët europianë. Kështu ka deklaruar kreu i Kuvendit Ilir Meta, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Suedi, gjatë takimit me ministren për Zhvillim dhe bashkëpunim Isabella Lovin.

Teksa ka falenderuar qeverinë suedeze për mbështetjen që i jep Shqipërisë në zhvillimin social dhe ekonomik, kryeparlamentari Meta ka vënë theksin tek avancimi i reformës në drejtësi, si reforma më e rëndësishme, thelbësore dhe e panegociueshme për të përmbushur prioritetet e BE-së për Shqipërinë si lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe trafiqet e paligjshme.

Ministrja suedeze tha se pavarësisht momenteve të vështira që po kalon BE, Suedia do të mbështesë integrimin e Shqipërisë brenda unionit. Sipas saj, Suedia i kushton një vëmendje të veçantë mirëqenies sociale, pabarazisë sociale, zhvillimit të qëndrueshëm, dhe mbrojtjes mjedisore si prioritete të punës së SIDA.

Edhe Meta nga ana tjetër falenderoi Suedinë për kontributin e dhënë nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SIDA) në forcimin e parametrave të mirëqeverisjes, administratës lokale, mbrojtjes mjedisore dhe të drejtave të njeriut, parametra që i shërbejnë rritjes së mirëqenies për qytetarët shqiptarë.

Recommended