Parlamenti nis punën, formimi i KQZ-së së re dhe implementimi në Kod i ndryshimeve Kushtetuese

  • 3 years ago
#tvora #rtvoranews

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të dominojnë axhendën e parlamentit që pritet të nisë të hënën në orën 17:00. Në këtë sesion të ri legjislativ do të formohet KQZ-ja e re si dhe nëse do të gjendet dakordësia mes PS dhe PD në Këshillin politik do të implemtohen në Kod Zgjedhor edhe hapja e listave si dhe koalicionet parazgjedhore. Paketa me 7 ligje të ndryshuara për shkak të marrëveshjes së 5 qershorit do të duhet të marrë kartonat jeshil të deputetëve në Parlament.

Shtatori politik ka nisur vrullshëm, ndërsa Parlamenti hap dyert të hënën për një sesion të rëndësishëm legjislativ.

Seanca e parë do të jetë vetëm formale dhe do të ruhen të njëjtat procedura për respektimin e masave anticovid.

Axhenda e legjislativit do të fokusohet pikërisht tek zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në një nga të dielat e periudhës prill-maji të 2021.

Pas hapjes së garës për kryekomisionerin, nënkomisionerin dhe 10 anëtarëve të Komisionit Rregullator dhe të KAS-it, Kuvendi duhet të mandatojë edhe komisionin e posaçëm parlamentar i cili do të vetojë të gjithë kandidatët për KQZ-në.

Sipas burimeve, në seancën e dytë plenare deputetët në sallë do të zgjedhin edhe përfaqësuesit e tyre të besueshëm që do të ulen me të dërguarin e posaçëm të PD për të kaluar në sitë të gjithë ata që do të aplikojnë për institucionin që do të administrojë zgjedhjet.

Pavarësisht vonesave që mund të sjellë politika, sipas Kodit të ri zgjedhor brenda dt 19 tetorit 12 anëtarët e rinj të KQZ-së duhet të jenë votuar dhe miratuar nga Parlamentit. një tjetër çështje që sërish ka të bëje me parlamentaret e 2021 është implementimi i ndryshimeve kushtetuese në kodin zgjedhor.

Shtatori do të rikthejë sërish Këshillin politik i cili do të duhet të dakordësohet për listat e hapura, koalicionet parazgjedhore si dhe për shpërndarjen e mandateve.

Nëse demokratët dhe socialistët do të gjejnë gjuhën e përbashkët se sa do të hapen listat si dhe nëse do të mundësohet mbajtja e koalicioneve parazgjedhore atëherë drafti i Këshillit politik do të shkojë në komisionin e e ligjeve dhe më pas për votim në Parlament.

Por përveç këtyre dy çështje që pritet të hasin në debate të forta, deputetët në parlament do të përdorin kartonat e tyre edhe për një sërë ligjesh të dakordësuar që në marrëveshjen e 5 qershorit.

Ligji për partitë politike, ligji për sinjalizuesit, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, Kodit Penal, Ligjin për Policinë e Shtetit, Ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe Ligji për funksionimin e prokurorisë.

Por përpos ndryshimeve në kod zgjedhor, si mazhoranca ashtu edhe opozita fokusin kryesor do ta kenë tek fushata elektorale.

PS për një mandat të tretë, ndërsa deputetët e pakicës në parlament po bëjnë përpjekje me parti të reja për t?u futur sërish në sistem pranverën e vitit të ardhshëm.

Për më shumë lexoni në: https://www.oranews.tv/te-henen-parlamenti-nis-punen-formimi-i-kqz-se-se-re-dhe-implementimi-ne-kod-i-ndryshimeve-kushtetue...

Recommended