Veliaj: Rindërtimi kauza e PS për mandatin e 3-të, s' presim fushatën për të mbajtur premtimet

  • 3 years ago
Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe njëherësh drejtuesi për Tiranën i PS-së për fushatën zgjedhore ka thënë se PS nuk pret vitin elektoral për të mbajtur premtimet që ka bërë, por i përvishet punëve që t'i realizojë sa më parë. Në një intervistë për Report Tv, Veliaj tha se disa nga sfidat që PS ka në këtë periudhë lidhet me procesin e rindërtimit ku do të hyjnë në shtëpi 1000 familjet e para brenda këtij viti dhe nisja e ndërtimit të dy lagjeve të reja në Tiranë. Veliaj ka deklaruar se Partia Socialiste në krye të agjendës së saj ka rindërtimin dhe çështjet të cilat lidhen drejtpërdrejtë me mirëqenien e qytetarëve. Duke folur mbi takimin e zhvilluar një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama me kryebashkiakët socialistë, Veliaj tha se orientimi kryesor politik është drejt punëve publike.

"?Partia Socialiste është një parti, jo vetëm më e madhja, më patriotikja dhe ndoshta më jetëgjata në menaxhimin e punëve të vendit, por është edhe një nga partitë më të disiplinuara. Ne nuk besojmë që fushata është bixhoz. Ne nuk besojmë që rrëmuja, ulërima, sharjet që karakterizojnë tipikisht fushatat në Shqipëri, janë zgjidhja. Ne besojmë në një parti që i fillon punët mbarë, punën e sotme nuk e lë për nesër, merr dhe bën një llogari të arritjeve që ka pasur, të punëve që janë bërë, të kritikave, vërejtjeve, pakënaqësive, mërive që mund të ketë në komunitet. Unë jam vetë drejtues i punëve në Tiranë. E di që Tirana ka 10 mijë rrugë, mund të kemi bërë 8000, por ka edhe 2000 të tjera për të bërë. Është vetëm çështje kohe, teksa ne ekspandojmë në çdo lagje. Është më mirë kur ne takohemi, kur ne shohim se si po ecin punët në varësi edhe të çështjeve. Disa Bashki kanë fokus çështjen e rindërtimit, disa të tjera sapo mbaruan sezonin më të çuditshëm turistik që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, prej historisë së pandemisë. Për të gjitha këto arsye, ishte një takim mobilizimi, përveshjes së mëngëve, për një fitore tjetër të Partisë Socialiste në krye të punëve të vendit, jo vetëm sepse nuk ka alternativë përballë, por sepse ne besojmë që ky mision është ende i papërfunduar, si në qytetet ashtu edhe në gjithë punët e vendit?, tha Veliaj.

Recommended