Rama i vendosur për listat, Meta ankohet te ambasadorët e BE-së: Nëse ndodh është e papranueshme

  • 4 years ago
TIRANE-Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një mëngjes pune me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian në Shqipëri. Takimi zgjati për rreth 90 minuta në Presidencë, ndërsa tema kryesore e diskutimit ishte padyshim nisma e opozitës parlamentare mbështetur nga shumica socialiste për hapjen e listave dhe koalicionet. Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, të vendeve të unionit, por edhe Britanisë kanë diskutuar me kreun e shtetit shqiptar për situatën politike.

Ilir Meta në një postim në Facebook shkruan se i njoftoi ambasadorët se do të dekretojë menjëherë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që u arritën në 5 Qershor dhe që u miratuan dje, por paralajmëroi se nëse kushtetuta do të preket në mënyrë të njëanshme, për listat dhe koalicionet do të konsiderohet akti i papranueshëm.

Kënaqësi të prisja sot Ambasadorët e Delegacionit të BE, të vendeve anëtare dhe të Mbretërisë së Bashkuar të aktedituar në Tiranë. I sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.

Theksova rëndësinë e vazhdimit të punës së Këshillit Politik vetëm në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes. I njoha me pozicionin tim të qartë se çdo prekje e njëanshme e Kushtetutës do të konsiderohet si akt i papranueshëm që synon të asgjesojë shtetin e së drejtës, demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë" shkruan Meta.

Dy ditë më parë Ilir Meta priti në Presidencë ambasadoren e SHBA-së, Yuri Kim. Kreu i shtetit është pozicionuar kategorisht kundër, por PS-ja është e vendosur, se ndryshimet kushtetuese do të miratohen në datë 30 korrik në Kuvend. Ilir Meta ka paralajmëruar se nëse do të miratohen ndryshimet nuk do të njohë kryeministrin e dalë nga zgjedhjet e ardhshme të 2021.

Recommended