Opozita parlamentare kundër, 'Ligjet' miratojnë draftin e 5 Qershorit, në Kuvend për votim
  • 4 years ago
TIRANE-Komisioni i Ligjeve ka miratuar nen për nen dhe në tërësi draftin e 5 Qershorit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Drafti u miratua me votat pro vetëm të shumicës, pasi opozita në këtë komision ishte kundër.

Në diskutimin nen për nen nuk u bë asnjë ndryshim, pasi kështu ishte rënë dakord më parë mes palëve, që Kuvendi të miratojë atë që është firmosur në Këshillin Politik. Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja u shpreh me këto ndryshime Kodi Zgjedhor do të pasurohet akoma më shumë.

Pro, 3 kundër, asnjë abstenim, miratohet edhe në tërësi projektligji. Falenderoj Gjiknurin dhe kolegët e tjerë për punën e shkëlqyer që është bërë qoftë në komisionin e posacëm, qoftë edhe për dakordësinë në Këshillin Politik, produkti u materializua. Kodi i ri zgjedhor është pasuruar" tha ai.

Një falenderim e ka pasur edhe përfaqësuesi i PS-së në Komisionin e Posaçëm por edhe Këshillin Politik, Damian Gjiknuri. "Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut sapo miratoi me shumicë votash amendimet e Kodit Zgjedhor, produkt që u arrit në sajë të punës së bërë fillimisht në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore e më pas edhe negociatave të zhvilluara në kuadër të Këshillit Politik.

Gjej rastin të shpreh falenderimin tim për kolegët deputetë që dhanë votën e tyre në mbështetje të këtij projektligji. Gjithashtu falenderoj kolegët me të cilët prej shumë muajsh punuam dhe kthyem në projektligj marrëveshjet politike të arritura.

Vlerësim për ekspertët vendas e të huaj që ishin pjesë e këtij procesi dhe mirënjohje pafund për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që na mbështetën vijimësisht. Miratimi i amendimeve në Kodin Zgjedhor është një kontribut i çmuar që klasa politike jep në procesin e integrimit dhe realizimit të konferencës së parë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave të anëtarësimit" shkruan Gjiknuri në Facebook.
Recommended