'Policia jemi'/ I shtrirë në tokë, të riut në Pogradec i vihen pranga...në kërkim për trafik droge
  • 4 years ago
POGRADEC-  Prej disa muajsh në kërkim, 38-vjeçarit në Pogradec, Andrea Pilinçi i janë vënë prangat për trafik droge.

38-vjeçari, një person me precedent të theksuar kriminal, ishte dënuar nga  gjykata me masën e sigurisë "Arrest në burg"  për plagosje me dashje, dënim të cilin nuk e ka kryer për shkak se është arratisur.

Siç shihet në video, Pilinçi nuk ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit, teksa policia e kishte shtrirë në tokë dhe për t'i vënë prangat.

"Shkon në tre numri i të ndaluarve në kuadër të këtij operacioni. Vihet në pranga 38-vjeçari i shpallur në kërkim, me precedent të mëparshëm penal në fushën e prodhimit e shitjes së narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të veprimeve të kryera në kuadër të operacionit të koduar "Tushemishti", si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë 2 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim:

A. P., 38 vjeç, banues në Tushemisht, Pogradec (i dënuar më parë për veprat penale "Armëmbajtja pa leje" dhe "Prodhimi e shitja e narkotikëve").

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 29.04.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit" dhe "Plagosja e lehtë me dashje" në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 26.04.2020, ku ky shtetas theu masën e sigurisë dhe u konfliktua me një shtetas tjetër. Në banesën e këtij shtetasi u gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion dhe një sasi prej 47 gr. lëndë e dyshuar narkotike kokainë, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndalimi i këtij shtetasi u bë i mundur nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në qytetin e Sarandës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec", njofton policia.
Recommended