Ndërtimi i një pike grumbullimi mbetjesh,banorët fshatit Geshtenjas të Pogradecit dalin në protestë
  • 4 years ago
Ndërtimi i një pike grumbullimi për mbetjet afër zonës së tyre kanë bërë që banorët e fshatit Gështenja në Pogradec të dalin në protestë. Ata kundërshtojnë dhe bëjnë me dije se nuk do të lejojnë ndërtimin e kësaj pike grumbullimi të mbetjeve që do të jetë në funksion të landfillit të Maliqit.

Banorët që kanë dalë në protestë tregojnë edhe arsyet se përse janë kundër ndërtimit të këtij landfilli. Sipas tyre ai dëmton ujin, tokën, prodhimet bujqësore dhe pemët frutore, të cilat janë në të shumtat e rasteve burimet e vetme të jetesës për ta.Ka disa muaj në fshatin tonë, por edhe e gjithë njësia. Ka qenë një projekt prej 3 vitesh i financuar dhe mesa shoh unë projekt është ndryshuar tre herë. Ka qenë i projektuar dhe është miratuar në fshatin Leshnicë, është devijuar në Lokovicë dhe tani është sjellë në Geshtenjas. Ne nuk është se duam ti dërgojmë në ndonjë vend tjetër, por duhet të jenë sa më larg zonave të banuara.

Problemi është se kjo është një zonë e mbrojtur. Gështenja është një dru me statusin më të veçantë. Ne nuk e pranojmë këtë pikë grumbullimi për disa arsye. Këto mbetje të gjitha shkojnë në liqen, që në e përdorim për të vaditur,"-shprehet një banorë.

Ndërkohë një tjetër deklaron: "Ne ku do të jetojmë, le ti dërgojnë atje ku s'ka zonë të banuar. Nesër do digjen plehrat, a rrihet më këtu prej erës. Ndikon në jetën e banorëve. Po të vijnë plehrat këtu do të infektohemi, se ne këtu kemi dhe burimet e ujërave."

Ndërkohë për këtë protestë ka reaguar bashkia e Pogradecit, e cila thotë se ka diskutuar njëherë me banorët e fshatit Gështenjë për këtë çështje. Bashkia siguron se në zonë nuk do të ketë asnjë ndikim nga ndërtimi i kësaj pike grumbullimi, pasi për këtë japin siguri ekspertët. Bashkia thotë se aty nuk do të jetë një landfill, por një pikë grumbullimi ku mbetjet rrinë vetëm një ditë dhe më pas transferohen.

Ndër të tjera bashkia këtë protestë e cilëson si të nxitur politikisht.
Recommended