Gazetari Qyno: Tre faktorët që bënë presion në çështjen 'Tahiri'! KLGJ të caktojë të tjerë gjyqtarë
  • 4 years ago
Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe riktheu çështjen për gjykim. Por gazetari i Report TV, Elton Qyno në studion e emisionit "Pa Protokoll" tha se janë tre faktorë që kanë ndikuar në këtë proces. Sipas tij janë faktori politik, mediatik dhe ndërkombëtar. Ai u shpreh se e gjithë ajo që po ndodh me Saimir Tahirin është përpjekje për ta lënë mënjanë nga politika.

"Presioni ka ardhur jo vetëm nga politika në këtë çështje, por edhe nga ndërkombëtarët dhe media. Janë tre faktorë që kanë ushtruar presion në këtë çështje. Ne çdo seancë kemi faktorin ndërkombëtar që ndjekin këtë proces gjyqësor. Nuk është ndonjë gjë jo e ligjshme për të ndjekur një gjyq, por prezenca e tyre është presion për një gjyqtar, për një prokuror, por edhe për të pandehurin. Nga ana tjetër shumë ujëra lëvizin nën rrogoz sa i përket politikës shqiptare, ku nëse do të kishim sot një vendim do të ndaheshe shapi nga sheqeri sa i përket ecurisë dhe për ambicien e zotit Tahirit në politike. Kjo është një përpjekje për ta lënë mënjanë ose jashtë nga politika. Zgjatja e afateve me 2 apo 3 vite që do të ketë procesi është një kohë e gjatë. Kjo kohë shërben për të rilindur figura të tjera në PS dhe mbajtja e këtij begraundi kriminal që i është adresuar këtij personi i ka lënë një njollë të madhe", tha gazetari Qyno.  Pavarësisht se çështja "Tahiri" do të rigjykohet sërish, një element që përmendi gazetari Qyno është fakti që KLGJ do të duhet të caktojë të tjerë gjyqtarë, pasi ata që janë shprehur më parë për Tahirin nuk kanë të drejtë të shprehen përsëri.
Recommended