Prokuroria nuk jep detaje për plagosjen në Tetovë, thotë se është në fazën parahetimore
  • 4 years ago
Për rastin e plagosjes së të riut Ardian Bilalli për të cilin dyshohet zyrtari i lartë i BDI-së Xhevat Ademi, Prokuroria e Tetovë thotë se është në fazën parahetimore dhe se kjo kjo fazë është sekrete.

Me këtë lëndë merret Prokuroria Themelore e Tetovës, e cila, është duke ndërmarrë masa në kuadër të procedurës para hetimore për zbardhjen e rastit. Duke pasur parasysh nevojën e udhëheqjes së procedurës në mënyrë të pandërprerë, dhe duke pasur parasysh Nenin 289 të Ligji për procedurë penale , ku rregullohet fshehtësia e procedurës para-hetimore, për momentin nuk jemi në gjendje t?u japim të dhënat që i kërkoni - njoftojnë nga Prokuroria.

Prokuroria nuk jep as të dhëna se përse edhe pas një viti nga ngjarja, ende rasti është në fazën para-hetimore. Për këtë një ditë më parë reagoi edhe vet i plagosuri Ardian Bilalli i cili tha se Prokuroria po zvarritë procedurën dhe se nuk merr në pyetje dëshmitarët e duhur.

Se kush janë dëshmitarët real, Prokuroria e di, dhe ne i kemi dorëzuar emrat e tyre në prokurori, por asnjëherë nuk janë thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre. Shpresoj se kjo letër, do të arrijë edhe në vesh të atyre që thirren në emër të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, që të mos mbrojnë krimin dhe dorasit e tij - u shpreh Ardian Bilalli.

As Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë nuk tregon se sa persona janë të dyshuar për këtë rast dhe sa personave i janë gjetur armë.

Kohë më parë, në një deklaratë për Alsat prindi i të plagosurit Ardin Bilalli, akuzonte zyrtarin e lartë të BDI-së Xhevat Ademi, se kishte plagosur të birin e tij.

Kam qenë prezent vetë në vendin e ngjarjes dhe e kam vërejt tërë situatën me sytë e mijë. Xhevat Ademi si deputet në atë aheng ka gjuajtur me pistoletë - tha Jusuf Bilalli, prindi i të plagosurit.

Xhevat Ademi nga ana tjetër kishte konfirmuar se ka qenë prezent në aheng por mohoi të ketë gjuajtur me armë zjarri.

Bashkim Sulejmani
Recommended