Report TV - Sot Këshilli Politik në 11:00 dhe Komisioni i 'Zgjedhores' në 17:00

  • 4 years ago
TIRANE-Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, njëkohësisht anëtar i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri sot në orën 11:00 ka thirrur tryezën e grupit negociator të Këshillit Politik, ndërsa në 17:00 ka kërkuar mbledhjen e Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore.

Në e-mailin e dërguar për anëtarët e tjerë të Këshillit politik, Oerd Bylykbashi, Rudina Hajdari dhe Petrit Vasili, Damian Gjiknuri shprehet se duhet të nisë sa më shpejt puna për të miratuar të gjitha amendimet e arritura në marrëveshje dhe të adresohen të gjitha pikat që është arritur konsensus pasi çdo vonesë e tyre do të krijojë probleme me ngritjen e organeve të reja të KQZ dhe kjo sipas Gjiknurit do të "rrezikojë implementimin e identifikimit biometrik në të gjithë vendin".

Por, refuzimi i diskutimit të sistemit zgjedhor dhe listat e hapura në një fazë të dytë ka revoltuar opozitën parlamentare e cila kërcënon se nuk do të votojë asnjë reformë nëse nuk reflektohen dhe këto dy gjëra në reformën zgjedhore. Kjo ka bërë që ata të zhvillojnë takime më herët me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim, Gramoz Ruçi dhe me kryeministrin Rama, por pa arritur asnjë dakordësi mes tyre.

Në marrëveshjen e arritur mes palëve të Këshillit Politik janë identifikimi biometrik ku është rënë dakord që të shtrihet në të gjithë territorin, struktura e KQZ anëtarët e së cilës do të pranohen sipas raportit maxhorancë-minorancë ndërsa në grupet e numërimit do të jenë dy grupe zyrtarësh jo-politikë, një prej të cilëve numëron dhe tjetri asiston dhe ndërrojnë rolet me çdo kuti votimi.

Ndërsa një nga pikat që ndante palët që ishte depolitizimi i administratës zgjedhore, nuk do të ketë ndryshime. Megjithatë palët kanë ende për të diskutuar lidhur me financimin e partive, hetimet e krimeve zgjedhore, rolin e policisë në zgjedhje, strukturat e reja të KQZ etj. në mënyrë që deri në përfundim të afatit në korrik të 2020 reforma të jetë gati për miratim.

Recommended