'Fake News' për konteinerët nga Italia, prokuroria Italiane:Lajmi me porosi të këshilltarit të Metës

  • 4 years ago
TIRANE- 3 vite nga 'Fake News'-i nga një faqe italiane "Pianeta Italia News" që trazoi politikën shqiptare me lajmin se 1400 konteinerë me mbetje toksike ishin nisur drejt vendit tonë për t'u groposur, prokuroria e vendit fqinj zbulon skandalin se kush fshihej mbrapa duke arrestuar tetë persona.

Prokuroria italiane nga hetimet që ka bërë ka zbuluar se pas skandalit qëndron këshilltari i presidentit të sotëm Ilir Meta me inicialet I. K. "Lajmi u sajua me porosi të këshilltarit të Ilir Metës" deklaron anti-mafia italiane.Mes tetë personave të arrestuar në Itali për këtë skandal është edhe ish-senatori Sergio de Gregorio, pronar i faqes online "Pianeta Italia News", që prodhoi lajmin e rremë. Mediat italiane kanë publikuar pamjet e momentit të arrestimit të pronarit të faqes italiane dhe të tjerëve.

Anti-mafia italiane deklaron se "Njeriu i Ilir Metës porositi fushatën kundër qeverisë shqiptare" në mediat e vendit fqinj. Fushata denigruese nisi në 2017-ën dhe asokohe u mbështet edhe nga opozita shqiptare.

Këshilltari i Ilir Metës ka qenë në Itali në 26 shkurt, ndërsa 2 ditë më pas faqja "Pianeta Italia News" botoi lajmin e rremë. Këshilltari i kreut të sotëm të shtetit mbërriti në Itali 2 ditë para se të botohej shkrimi për ta ndjekur nga afër gjithcka në tentativën për rrëzimin e qeverisë shqiptare.

Nga përgjimet flitet për një shumë prej 55 mijë eurosh që faqja italiane do të merrte për botimin e shkrimit. Skandalin që sot e dokumentoi drejtësia italiane, Report Tv zbuloi që në 2017, një muaj pas botimit të shkrimit në mediat italiane.

Shqiptarja.com dhe Report Tv investiguan duke zbuluar se lajmi i 1400 kontenierëve me mbetje që sipas portalit italian Pianeta Italia News janë zhdukur në Shqipëri është fals. Sot drejtësia italiane konfirmoi investigimin duke çuar tetë persona në pranga dhe zbuluar se pas kësaj tentative për të rrëzuar qeverinë qëndron këshilltari i Ilir Metës.

Recommended