Kriza institucionale, partitë pa zgjidhje përveç zgjedhjeve

  • 4 years ago
Në rast të dështimit të 5 korrikut, si datë e mundshme për zgjedhjet parlamentare, partitë politike nuk e kanë idenë se çfarë mund të ndodhë me institucionet, funksionimi i të cilave ka ngecur.

Nuk mundemi shtetin ta lejmë pa parlament dhe në Qeveri teknike në të cilën dikush rri vetëm për pikë politike. Nuk ekziston asnjë moment kushtetues ose ligjor të cilin mund ta kapim dhe në bazë të asaj të vendosim për të mbledhur Kuvendin. Në demokraci parlamentare, të vazhdoni të funksiononi qoftë edhe një javë më shumë, është e rrezikshme në gjithçka për qytetarët - tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Është vërtetë shumë e vështirë që shteti të funksionojë në afat të gjatë pa Parlament funksional. Prandaj edhe ishte nevoja për organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve me qëllim të kapacitetit të plotë politik të të gjitha institucioneve shtetërore, mirëpo mbeten këto dy parime; ruajtja e shëndetit të njerëzve dhe konsensusi si parakushte për një vendim të tillë - u shpreh Bujar Osmani, BDI.

Ndërkohë kreu në largim i Kuvendit Talat Xhaferi disa javë pasi këmbëngulte se nuk ka kompetenca për veprime të tjera pas shpërndarjes së Kuvendit, ditë më parë deklaroi se do të shqyrtohen mundësitë në këtë drejtim.

Nuk kam mandatin e deputetit por kam autorizimin e Parlamentit që të përfaqësoj Parlamentin deri në seancën e ardhshme konstituive. Mënyra se si ne tre institucione do të dakordohemi, do të organizohemi që vendimin ta kthejmë në procedurë juridike, do të bëjmë vlerësime shtesë të procedurave juridike, do të bëjmë këshillime shtesë me ekspertë të fushave juridike - tha Talat Xhaferi, kryetar në largim i Kuvendit.

Fatlume Dervishi

Recommended