Report TV - Shuhet në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo
  • 4 years ago
TIRANE-Ndahet nga jeta në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo. Report Tv mëson se prej disa ditësh Velo ishte i shtruar në QSUT, pasi vuante nga anemia e theksuar. Velo jetonte vetëm me motrën, për të cilën kujdesej, pasi ishte në pamundësi fizike. Ai ishte një nga 175 arkitektët më të mirë në botë. Maks Velo lindi në Paris më 31 gusht të vitit 1935. Pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi kaloi edhe fëmijërinë. Vendi i origjinës së prindërve ishte Dardha.

Pasi mbaroi gjimnazin, ai vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 mori pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë. Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës. Pastaj, vitet '78-'79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai u arrestua dhe dënua me dhjetë vjet burg në Spaç. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: "Kokëqethja", "Palltoja e burgut", "Thesi i burgut", "Paralele për arkitekturën", "Kohë antishenjë", "Jeta ime në figura" etj. Si artist, ai krijoi në disa gjini të artit: pikturë, prozë, poezi, publicistikë sikundër ishte i angazhuar në çështje të aktualitetit shqiptar.
Recommended