Report TV - Kryeprokurori: Puna jonë për qytetarët! Kim: Mos lini fajtorët të shpëtojnë!
  • 4 years ago
TIRANE-Pas miratimit të reformës në drejtësi, Kryeprokurori Olsian Çela u shpreh sot se organi që drejton ndodhet përpara disa sfidave. Në një konferencë ku ishin të pranishëm edhe ambasadorët e BE-së, SHBA-së, OSBE-së, drejtuesi i SPAK-ut, KLP-së dhe ministrja e Drejtësisë, Çela u shpreh se me ndryshimet që pësoi në 2016 ligji për prokurorinë raportet e reja kanë krijuar paqartësi brenda zyrave, ndërsa ekziston rreziku i fragmentarizimit të aktivitetit hetimor si rrjedhojë e praktikave të ndryshme në mungesë të një autoriteti centralizues.

Për këtë shkak, sipas Prokurorit të Përgjithshëm masat që duhet të ndërmerren shtrihen në disa plane, "duke nisur që nga organizimi i brendshëm i zyrave, infrastruktura operacionale e deri tek strukturimi i bashkëveprimit ndërinstitucional". Për shkak të ndryshimeve ligjore, por edhe mangësive si pasojë e përjashtimit nga drejtësia të shumë gjyqtarëve e prokurorëve dhe faktit që ende nuk janë ngritur të gjitha institucionet e reja, Olsian Çela deklaroi se nuk ka një perspektivë të qartë, të kohës se kur sistemi do të funksionojë me kapacitet të plotë.

Shtimi i ngarkesës së punës në çdo prokurori, vijoi më tej ai, ka krijuar një situatë emergjence. Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim kërkoi nga Shqipëria që të luftojë krimin dhe korrupsionin me drejtësinë e re që është ngritur në mënyrë që të kthehet në magnet për investimet e huaja. 2020-ën, shefja e diplomacisë amerikane në Tiranë e cilësoi si vit madh për Shqipërinë, por porositë ishin të qarta për të luftuar korrupsionin.

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca u shpreh sot se Shqipëria meriton hapjen e negociatave. Përfaqësuesi i Brukselit në Tiranë tha se tashmë presin rezultatet nga drejtësia e re. Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se suksesi i shoqërisë varet nga drejtësia. Ai tha se miqtë ndërkombëtarë presin rezultate konkrete nga reforma në drejtësi. Megjithatë, tha Ibrahimi, sistemi i prokurorisë tek ne mbetet i nënfinacuar, nuk ka mjaftueshëm para për ta mbështetur.
Recommended